Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 09:23

Prishtinë – Zv/kryeministri malazez dhe ministër i Drejtësisë, Dushko Markoviq, në takim me zv/kryeministren kosovare, Edita Tahiri, theksoi se Malit të Zi është i interesuar për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën në të gjitha planet. Ai siguroi se Mali i Zi dhe Kosova do të forcojnë fqinjësinë dhe partneritetin drejt një të ardhme të përbashkët euroatlantike.

Markoviq po ashtu u angazhua për konkretizimin e bashkëpunimit në fushën diplomatike, ekonomike, të turizmit dhe sigurisë, duke u angazhuar që sa më shpejtë të vendosen edhe marrëdhëniet e plota diplomatike duke shkëmbyer ambasadoret e parë.

Mali i Zi do të vazhdojë të jetë konstruktiv, duke ofruar mbështetje për rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe se pavarësia e Kosovës u dëshmua të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti, tha ai.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për rëndësinë e fuqizimit të agjendës euro-atlantike për të dyja vendet dhe mbarë rajonin si dhe vlerësuan se demokracia dhe vlerat evropiane janë perspektiva më e mirë për shtetet e reja. Në takim po ashtu u tha se minoritetet janë urë lidhëse midis të dyja vendeve.