Lajme Shqip Sunday, 04 August 2013 14:11

Tiranë – Ish-deputeti socialist, Arben Malaj, ish-ministër i Financave në qeverisjen e fundit socialiste, kërkon nga ministrat e rinj që të mos merren me ftesa në Facebook, por me strategji konkrete për programin e ri qeverisës.
“Dokumente konkrete, si draft-programi i qeverisë dhe draft-strategjitë sipas prioriteteve dhe ministrive, mund të ndihmojnë për kontribute më të plota dhe të vlefshme, sesa ftesat nëpërmjet fb”, shkruan Malaj.
Sipas tij, qeveria dhe ministrat e saj duhet të studiojnë mirë të gjitha strategjitë aktuale, raportet e ndërkombëtarëve, për të ndërtuar një program qeverisës sa më realist.
“Duhet të studiohen strategjitë aktuale sipas prioriteteve dhe ministrive; duhen studiuar raportet ndërkombëtare për këto prioritete, për luftën kundër krimit të organizuar, për trafikun e drogës dhe njerëzve, për korrupsionin, për pronat, për administratën publike; duhen studiuar raportet e projekteve ndërkombëtare sipas ministrive konkrete, raportet vjetore sipas donatorëve, ku mund të gjenden analiza edhe të vlefshme për të qartësuar problematikën dhe rivendosur prioritetet”, shkruan Malaj.
Ai nënvizon dhe nevojën e partive politike për të pasur ekspertët e tyre kur janë në opozitë, për t’i pasur ata të identifikuar për në qeverisje kur fitojnë zgjedhjet.
“Partitë politike duhet, nëpërmjet komisioneve (që vlerësohet të jenë simetrike me strukturën e qeverisë), që në opozitë të identifikojnë ekspertët e fushave përkatëse, rendit, energjisë, shëndetësisë, arsimit, financave, bujqësisë, turizmit etj., të cilat mund të jenë ekipe të bërthamave këshilluese për strategjitë dhe implementimin e tyre. Shoqëria civile ka ekspertët e saj publikë, që kanë bërë studime apo janë përfshirë në mënyrë profesionale në debatet publike për fushat dhe prioritetet përkatëse”, shkruan Malaj në adresën e tij në Facebook.
Pas shpalljes së emrave të ministrave të rinj nga ana e Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, disa prej tyre kanë hapur një debat publik për të marrë sugjerimet dhe ekspertizën e qytetarëve, për të përmbushur më mirë misionin e sektorëve që ata do të mbulojnë me ministritë e tyre.