Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 17:41

Tiranë – Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi sot për një të përditshme shqiptare se, “për asnjë arsye dhe për asnjë moment, Partia Socialiste nuk duhet të influencohet apo drejtohet me mentalitet dhe strategji radikalizuese”.

Në një intervistë për gazetën “Mapo”, Malaj tha se në PS ka nevojë për më shumë solidaritet njerëzor, përkushtim dhe përgjegjshmëri për të rritur mbështetjen publike si një forcë politike moderne për një qeverisje më të mirë të vendit.

“Demokratizimi dhe modernizimi i mëtejshëm i forcës sonë politike, zgjerimi horizontal i kontributeve dhe përgjegjësive politike, mundësitë reale për meritokraci dhe karrierë politike, aktivizimi i menjëhershëm dhe efikas i forumit të gruas, forumit rinor dhe qendrave kërkimore shkencore pranë PS-së, limitimi i pushteteve të përqendruara dhe i pushteteve me mandate të tejzgjatura, mund të jenë disa piketa, jo për të ushqyer një debat shterpë, por për ta larguar PS-në nga çdo risk radikalizues apo keqpërdorim për qëndrime radikale, tendencë kjo që çon drejt një humbjeje të përsëritur”, thotë Malaj në intervistën e tij.

Duke komentuar vendimarrjen e Kolegjit Zgjedhor për kërkesë padinë e PS-së, Malaj tha se “natyrshëm, kur flasim për sistemin gjyqësor, mbajmë parasysh faktin që respektimi i vendimeve të tij është i detyrueshëm”.

Ndaj sipas tij, çdo analizë e mbingarkuar me emocione politike, partiake, individuale, “pro” ose “kundër” mbi këto vendime institucionale, vetëm ushqen tejzgjatjen dhe acarimin e krizës politike.

Për sa i përket rezultatit për bashkinë e Tiranës, Malaj tha se “nëse ekspertët juridikë të PS-së do të vlerësojnë se ka hapa ligjorë për ta apeluar vendimin në shkallët e epërme brenda apo jashtë vendit, ato duhen ndjekur pa vonesë”.

Por sipas tij, “angazhimi i ndërkombëtarëve për anulimin e një vendimi gjyqësor është praktikisht i pamundur dhe cënon kredibilitetin e dyanshëm”. “Demokracia në vendet e tyre mbështetet në ndarjen e pushteteve dhe respektimin e vendimeve gjyqësore. Në momentet kritike të krizave politike politikëbërja ndërkombëtare ka kërkuar zgjidhjen te gjyqësori dhe ka ditur të respektojë vendimet e tij”, tha Malaj.

Ndërkohë ai theksoi se, “asistenca e Komisionit të Venecias do të jetë e dobishme për të qartësuar mundësitë përmirësuese të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore”. “Kjo asistencë e specializuar është mirë të vijë sa më parë, për të pasur kohën e nevojshme për të diskutuar rekomandimet dhe përfshirjen e tyre në reformën zgjedhore”, tha ai.

Malaj u shpreh se nevojitet që PS-ja të riorientojë strategjinë dhe taktikat e zhvillimit të politikës nga ana e saj, veçanërisht duke iu larguar mjeteve politike të paefektshme apo që kanë provuar se nuk sjellin rezultat apo produkt publik, e duke u fokusuar më mirë në pasqyrimin dhe mbrojtjen e interesave themelore të shtresave e grupeve shoqërore që përfaqëson.

“Duhet parandaluar përsëritja ciklike e metodave dhe mjeteve të luftës politike që “lodhin” elektoratin dhe zbehin angazhimin e tij. Kriza e tejzgjatur dhe dështimet në integrimin europian të vendit imponojnë një fazë të re e moderne të të bërit politikë, imponojnë reforma konkrete në modernizimin e partive politike, si parakusht për modernizimin e mbarë shoqërisë shqiptare”, tha Malaj.

“Nëse ka mundësi reale për hapa të tjerë ligjorë për Bashkinë e Tiranës, do të jem solidar me kolegët e mi të Grupit Kuvendor të PS-së”, tha më tej Malaj, duke qartësuar se “është kategorikisht kundër radikalizmit të kësaj force politike, kundër bojkotit, braktisjes apo sulmeve ndaj institucioneve publike dhe kundër opozitës me tymin e zi të gomave të djegura apo bllokimit të rrugëve kombëtare”.