Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 14:59

Prishtinë-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë takimit sot në Prishtinë me raportuesen për Kosovën në Parlamentit Evropian , Urlike Lunaçek, bisedoi për raportin e Kosovës me PE-në, për Rezolutën e djeshme të miratuar për Kosovën, si dhe për hapat e pritshëm që duhet të bëjë vendi për më shumë njohje dhe afirmim ndërkombëtar.

Zyra e shtypit e Kuvendit kosovar bën të ditur se znj. Lunaçek shprehu kënaqësinë e saj për miratimin e Rezolutës për Kosovën nga deputetët  e Parlamentit Evropian dhe për faktin që, krahasuar me dy vitet e mëparshme, numri i deputetëve në përkrahje të Kosovës është duke u rritur, gjë që e bën  të ndjehet mirë.

Ky është njëkohësisht progres për raportet e vendit me PE-në dhe nxitje pozitive për vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë atë. Ajo ka pohuar faktin se propozimi për përdorimin e fusnotës në dokumentet e Parlamentit Evropian, ku përmendet Kosova, nuk ka kaluar.

Lunaçek shprehet pozitivisht për arritjen e marrëveshjeve me Serbinë, duke i bërë thirrje asaj që të tregohet e përgjegjshme në zbatimin e tyre. Parlamenti Evropian, ka thënë ajo,  ka kërkuar nga Serbia që të mos mbajë  zgjedhje lokale në Kosovë, ngase ky veprim i saj është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me Rezolutën 1244 të KS.

Kryeparlamentari Krasniqi e falënderoi znj. Lunaçek për angazhimet e saja në hartimin dhe miratimin e Rezolutës për Kosovën në PE dhe e njoftoi atë për angazhimet e Kuvendit në përmbushjen e obligimeve sa i përket axhendës evropiane.

Ai i kundërshtoi veprimet destruktive të Sërbisë për tentimin e organizimit të zgjedhjeve në Kosovë dhe kërkoi edhe institucionet e tjera të Bashkimit Evropian,  të cilat i kanë dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat, të bëjnë presion mbi Beogradin që të mos provojë veprime të tilla në Kosovë, që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit të rajoni. (LajmeShqip.com)