Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 08:52

Prishtinë – Luksemburgu do të mbështesë aktivitete të ndryshme arsimore, shëndetësore dhe sociale në Kosovë, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar dje midis Kosovës dhe Luksemburgut.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Familjes, Integrimeve, Bashkëpunimit dhe Veprimtarive Humanitare të Luksemburgut, Marie-Josée Jacobs.
Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, e ka vlerësuar mbështetjen e ofruar për Kosovën nga ministrja Jacobs, e cila kap vlerën 3.5 milionë euro.
“Kjo marrëveshje është përkrahur edhe nga “Caritas”-i i Luksemburgut në Kosovë, i cili do të mbështesë aktivitete të ndryshme arsimore, shëndetësore dhe sociale në Komunën e Ferizajt dhe komuna të tjera”, tha Hoxhaj.
Ministri gjithashtu bëri të ditur se gjatë takimit ka marrë mbështetjen e ministres Jacobs për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, me theks të veçantë në aspektin ekonomik. Nga ana e saj, ministrja Marie-Josée Jacobs, ka shprehur përkushtimin e Luksemburgut që të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Nëpër disa komuna kemi projekte shumë të rëndësishme në sferën e arsimit dhe shëndetësisë. Dhe ne do të vazhdojmë këtë mbështetje”, tha Jacobs.
Ajo ka sqaruar se marrëveshja parashikon investime në ato sfera që do të zhvillojnë ekonominë dhe kapacitetet njerëzore të Republikës së Kosovës.