Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 15:48

Tiranë – Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, i cili u mblodh sot në Luksemburg, lëshoi një deklaratë në lidhje me situatën politike në Shqipëri.

“BE ka ndjekur nga afër zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe vë re se në përgjithësi ato ishin transparente dhe konkuruese, megjithëse me vështirësi proceduriale”, thuhej në deklaratën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, të publikuar në faqen zyrtare të KiE-së.

Duke e cilësuar ende shqetësuese situatën në Tiranë, BE shpreh keqardhjen për keqësimin e situatës politike dhe shtimin e tensioneve që ndoqën procesin zgjedhor.

“BE-ja, duke vënë në dukje vendimet e Kolegjit Zgjedhor, thekson se është thelbësore që procesi zgjedhor, duke përfshirë edhe procedurën e ankesave dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, të përfundojë në mënyrë transparente, të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ekzistues ligjor. Është gjithashtu thelbësore për të gjitha palët që të njohin epërsinë e sundimit të ligjit mbi çdo interes tjetër”, vijon deklarata, e cila shton se, “BE-ja u bën thirrje të gjithë liderëve politikë për të mbështetur finalizimin e procesit zgjedhor me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me një fokus në të ardhmen evropiane të vendit”.

“BE do të ndjekë nga afër vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR”, thuhet në deklaratë.

“BE-ja i kërkon qeverisë dhe opozitës, të bashkëpunojë me shoqërinë civile, për të rënë dakord për një reformë të plotë zgjedhore, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR në 2007, 2009 dhe 2011, përpara zgjedhjeve të ardhshme”, vijon deklarata.

“BE-ja vë në dukje synimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për t’i kërkuar Komisionit të Venecias mendim se si mund të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme”, thekson deklarata.

Gjithashtu, BE-ja i bën thirrje qeverisë dhe opozitës të rivendosin urgjentisht dialogun politik për të kapërcyer bllokimin e gjatë politik. “Një dialog i tillë është i domosdoshëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike dhe institucioneve të saj, duke përfshirë edhe funksionimin në mënyrë të efektshme të Kuvendit, si dhe për avancimin

evropian të vendit drejt integrimit në BE”.

BE-ja u kërkon autoriteteve shqiptare të ripërtërijnë dhe të forcojnë përpjekjet në axhendën e reformave dhe zbatimin e tyre.

Sipas BE, këto janë thelbësore për të arritur shkallën e nevojshme të pajtueshmërisë me kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë 12 prioritetet kryesore të identifikuara në Opinionin e Komisionit Evropian, në nëntor 2010, mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim.

“Vetëm pas përmbushjes së detyrimeve të mësipërme, Shqipëria do të jetë në gjendje për të ecur përpara në drejtim të BE-së, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të dhjetorit 2010″, theksohet në deklaratë.

Së fundi, deklarata rithekson se “BE mbetet e angazhuar ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të të mbështesë përpjekjet e vendit në këtë proces”.