Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 15:34

Preshevë -  Me rastin e shënimit të 14-vjetorit të daljes publike të UÇPMB-së, ish-drejtori politik i kësaj ushtrie, Jonuz Musliu, ka vlerësuar se synim i këtij formacioni ushtarak ishte çlirimi i Luginës së Preshevës dhe bashkimi i saj me Kosovën.Teksa ka përshkruar ditën e 26 janarit të vitit 2000 ai, në një bisedë për “Epokën e re”, ka bërë me dije se edhe pas 14 vjetëve në shpirtin dhe në zemrën e çdo shqiptari të Luginës së Preshevës është bashkimi me Kosovën, pasi kjo trevë me dhunë e pa dëshirën e popullatës ishte shkëputur nga trungu i saj.

“Qëllimi dhe synimi i UÇPMB-së ka qenë i cekur edhe në platformë. Ishte bashkimi me Kosovën, pasi Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë qenë tokë integrale e Kosovës dhe janë ndarë dhunshëm prej këtij vendi. Për këtë është organizuar lufta jonë çlirimtare. Ky synim vazhdon të ekzistojë ende në shpirtin dhe zemrat e popullit shqiptar. Kudo që jetojnë, të gjithë janë njëzëri të vijmë deri te bashkimi me Kosovën”, ka thënë Musliu.

Ai i ka ftuar të gjithë shqiptarët të angazhohen për këtë bashkim, duke shtuar se një gjë e tillë mund të arrihet vetëm me punë. Sipas Musliut, rol të rëndësishëm në këtë drejtim mund të luajnë udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë së bashku me faktorin ndërkombëtar.

“Bashkimi arrihet me punë, unitet të të gjithë faktorëve shqiptarë, me mbështetje financiare dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve. Tani është momenti kyç që edhe Shqipëria e Kosova ta ngrehin dorën lart dhe t’i tregojnë Serbisë se kjo pjesë është e shqiptarëve dhe nuk duhet të preket. Obligim moral dhe kombëtar kanë Hashim Thaçi dhe Edi Rama si dhe kushdo që vjen pas tyre”, është shprehur Musliu.

Musliu, i cili aktualisht është kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, e ka pranuar se fillimisht frymën e unitetit duhet ta tregojnë liderët e shqiptarëve në Luginë, pastaj pjesa tjetër e shqiptarëve. “Esenca është tek uniteti i të gjithëve. Ne duhet të bëhemi bashkë sikur ato thuprat e Skënderbeut. Pra, unitet kërkohet nga vetë shqiptarët e Luginës së Preshevës, nga lidershipi ekzistues i shqiptarëve, pastaj unitet duhet të kërkohet nga Kosova dhe Shqipëria”, ka deklaruar Musliu.