Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 17:16

Heqjen e “Parkut të paqes” mbi lumin Ibër, autoritetet e komunës veriore të Mitrovicës po e kushtëzojnë me përcaktimin e, siç e quajnë ata, “kufijve administrativë” mes dy komunave.

Autoritetet serbe po synojnë përfshirjen në kufijtë e saj administrativë, të disa fshatrave të banuar me shumicë shqiptare. Udhëheqës të Mitrovicës veriore po pretendojnë që kjo vijë po ashtu të kalojë mes për mes lumit Ibër.

Ministria për Dialog, Edita Tahiri thotë se këto vija janë të përcaktuara më planin e Ahtisaarit dhe me ligjet e Kosovës, dhe ato nuk do të ndryshohen.

“Është kërkesë që fshatrat Suhodoll, Kroi i Vitakut etj të definohen me dokumente kadastrale. Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është kompetente për të përcaktuar zonat kadastrale të këtyre fshatrave, sipas hartave të caktuara nga Plani i Ahtisarit, dhe ky proces po zhvillohet në bashkëpunim me kryetarët e dy komunave, për të cilën do të bëhet edhe një Memorandum mirëkuptimi”, ka thënë Tahiri.

Vija administrative mes Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës Veriore është e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe Planin e Ahtisaarit dhe kjo vijë është mbi lumin Ibër në pjesën veriore të saj.

Tahiri ka komentuar pretendimet e kryetarit të Mitrovicës Veriore, që kjo vijë administrative të kalojë mes për mes Lumit Ibër.

“Në fakt ajo se çfarë po pretendojnë autoritetet serbe në bazë të deklaratave të tyre publike, është që vija kufitare mes dy komunave të kalojë mes për mes lumit Ibër. Por duhet ta kemi të qartë se Plani i Ahtisaarit dhe dokumentet kadastrale tregojnë se kjo vijë është andej lumit Ibër, në pjesën veriore, dhe jo mes për mes tij”, ka deklaruar Tahiri.

Për këtë çështje as që do të ketë bisedime, pasi është e sqaruar shumë mirë, ka deklaruar Tahiri për Gazetën Express.

Sa i përket çështjes së Xhamisë së Ibrit, Ministrja për Dialog ka thënë se sipas marrëveshjes, trualli është i rezervuar për Xhaminë, dhe Bashkësia Islame mund të vendosë se kur ta fillojë rikonstruktimin e saj, pas shkatërrimit që iu bë në vitin 1999.

Në anën tjetër i pyetur për ecurinë e Punimeve në heqjen e barrikadës, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka thënë se ato janë duke vazhduar.

“Operatori është duke punuar, dhe ato do të kryhen deri në qershor ashtu siç parashihet me marrëveshje”, ka thënë Bahtiri.

Punimet për rivitalizimin e Urës dhe largimin e të ashtuquajturit ‘Park i paqes’ kanë filluar rreth të dielën. Sipas marrëveshjes, ato do të kryhen në muajin Qershor, kur edhe do të hiqet e ter barrikada. Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, po këtë ditë ka deklaruar se pa një marrëveshje për kufijtë, punimet në urë mund të fillojnë, por jo edhe largimi i parkut.