|
|
e Mërkurë, 01 Gusht 2012 19:21 Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka shkruar sot një letër, Kancelarit Austriak, Werner Faymann, për t’i shprehur shqetësimin në lidhje me tenderin e Lotarisë Kombëtare, i cili është dhënë në favor të një kompanie austriake.
Në letër, Kryetari i PS-së vë në dukje faktin se forca politike që ai drejton i është mirënjohëse qeverisë së Austrisë dhe biznesit austriak që investon në Shqipëri. Rama shkruan në këtë letër drejtuar Kancelarit të Austrisë, Faymann se, mbrojtja e interesit publik është themelore. “Duke patur parasysh mbrojtjen e interesit publik si prioritetin tonë më të lartë, unë do të dëshiroja të sillja në vëmendjen tuaj se, në disa raste të ndryshme muajt e fundit, unë kam denoncuar publikisht procesin që është ndjekur nga qeveria aktuale shqiptare, për të dhënë një Licencë të Lotarisë Kombëtare, si një proces qartazi të manipuluar kundër interesit publik.”
Lideri i opozitës po ashtu në letrën, dërguar Kancelarit të Austrisë e informon se PS do i bëjë thirrje Austrian Lotteries që të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent, i cili shkon kundër interesave të shtetit shqiptar dhe publikut shqiptar, si edhe të gjitha rregullave e standardeve nën të cilat e njëjta kompani vepron në Austri.
“Unë jam i mendimit se sjellja e tyre në rastin e tenderit shqiptar nuk ka qenë e të njëjtave standarde dhe se, ata nuk kanë arritur të aplikojnë të njëjtat kritere që respektojnë dhe përmbushin në Austri”, vijon letra e Kreut të PS-së.
Rama informon se do të ndërmarrë çfarëdo veprimi të mundur ligjor për të hetuar të gjithë procesin, trukimin e pretenduar dhe për të riparuar dëmin që i është shkaktuar publikut shqiptar përmes këtij akti të rëndë papërgjegjshmërie. (LajmeShqip.com)