Lajme Shqip Wednesday, 20 June 2012 19:29

Tiranë – Ministria e Financave ka hapur ofertat për dhënien e licencës se vetme të Lotarisë Kombëtare, një tender qe është veshur me dyshime për paracaktimin e fituesit. Në garë morën pjesë dy kompani, konsorciumi “LTO”, i cili përbëhet nga një bashkim firmash, italiane, qipriote dhe çeke, si dhe kompania e dytë, austriakja “Austrian Lotary”.

Mesditën e së mërkurës përfundonte dhe afati i dorëzimit të ofertave, të cilat u hapen në prani edhe të komisionit të vlerësimit, që mori në dorëzim gjithë volumin e madh të dokumenteve. Mbetet që në ditët ne vijim komisioni i vlerësimit të ofertave të zyrtarizojë fituesit dhe sipas burimeve konfidenciale, kompania austriake është paraprakisht e favorizuar në këtë proces, me një çmim prej 3 milion eurosh. Pak ditë para se të mbyllej afati për aplikimin e licencës, kompania greke “Intralot”, e interesuar për të marrë pjesë në garë, hodhi akuza të forta se kushtet e përcaktuara në këtë tender ishin skualifikuese për shume firma, duke hedhur dyshime për një konkurrence të limituar në këtë proces.

Në letrën ankesë që kompania greke i dërgoi kryeministrit Berisha si dhe ministrit Ridvan Bode, ajo kërkonte shtyrjen e afatit të tenderit si dhe rishikimin e kritereve, një kërkesë kjo që mesa duket nuk u mor në konsideratë. Por, përveç kompanisë greke, për tenderin e Lotarisë Kombëtare ka ardhur një tjetër ankesë, kësaj herë nga kompania turke ‘Inteltek’.

Përmes një letre që mban datën 19 qershor presidenti i kompanisë turke ‘Inteltek’, Ahmet Sezer, i drejtohet ministrit shqiptar të Financave, duke shprehur shqetësim të thellë për praktikën jokonkurruese të ndjekur nga qeveria shqiptare për tenderin e Lotarisë Kombëtare. Në letrën e tij presidenti i kompanisë turke thotë: “Ne jemi informuar se Ministria juaj ka lanccuar tenderin për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare dhe për procedurat e aprovuara. Me shqetësim të madh vëmë re se procedurat nuk garantojnë një konkurrencë të plotë dhe të hapur dhe as nxisin krijimin e të ardhurave për shtetin shqiptar.”

Po kështu, një ditë me parë, deputeti i PS-së, Taulant Balla i dërgoi zyrtarisht një letër ministrit të Financave Ridvan Bode, ku i kërkonte shpjegime për tenderin e paragjykuar në emër të së drejtës së qytetarit për informim dhe statusit të deputetit. (T.O)