|
|
e Shtunë, 30 Qershor 2012 17:45 Tiranë – Aleanca Kuq e Zi ka zhvilluar sot një protestë para MInistrisë së Financave në shenjë kundërshtie ndaj procesit për tenderimin e Lotarisë Kombëtare.
“AK nuk është këtu për të kundërshtuar apo për të mbrojtur asnjë tezë konfliktuale apo politike mes PD apo PS, por është këtu për të kundërshtuar shitjen masive të kapitalit shtetëror që qeveria e Sali Berishës po kryen”, tha Eduart Kaca, sekretari politik i AK.
Sipas AK, tenderi është pasqyrë e qartë e korrupsionit. Kjo parti akuzoi qeverinë shqiptare se korrupsion po e ben me asetet kombëtare, duke shtuar se pasuritë kombëtare nuk mund t’i shiten sektorit privat. Duke i konsideruar të gjithë ministrat e Berishës, si bixhozxhinj, AK e ka cilësuar ministrin e Financave, si fantin spathi të qeverisë.
‘I ndodhur në ditët e fundit të regjimit të ndryshkur dhe të kalbur, Sali Berisha ka hapur thesin e pasurive kombëtare dhe po shet këto pasuri në mënyrë klienteliste përmes ministrave bixhozxhinj, jo vetëm se luajnë kazinove, por se mentaliteti i tyre politik lidhet ngushtë me aktivitetin e tyre qeveritar. AK dënon këtë akt tradhtar të Bodes, që është ushtari më i bindur i Berishës në strategjinë e rrënimit ekonomik të shqiptarëve.”
AK theksoi se lotaritë nuk mund të administrohen as nga PD as nga PD, ndërsa shtoi se me ardhjen në pushtet, Aleanca do të bëjë cmos që të shtetëzojë pasuritë kombëtare të shitura.
‘Mentaliteti klientelist e bixhozxhi duhet të marrë fund dhe kjo do marrë fund kur shqiptarët të japin votën Aleancës Kuq e Zi. Për AK, shitja e e lotarisë tek sektori privat, qoftë ky opozitar, qeveritar apo i huaj është tradhti në kurriz të shqiptarëve që po vuajnë krizën ekonomike që qeveria po përpiqet të mbulojë dita-ditës”, u shpreh perfaqesuesi i AK ne proteste. (LajmeShqip.com)