Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 16:02

Prishtinë (PLOTËSUAR, 23 Janar 02:59) – Në njoftimin e Vetëvendosjes pranohet se protesta është e dështuar dhe nuk ka sjllë rezultatet e pritura, me ç’rast edhe kanë njoftuar për përmbylljen e protestës, të dërguar në orët e para të ditës së sotme. Shpend Ahmeti iu është drejtuar protestuesve duke thënë “Duke qenë se u bë i pamundshëm qëndrimi te Dheu i Bardhë ku tashmë hynë veturat dhe maunet me mallra serbe, u vendos që tani nuk është më e arsyeshme që të bllokohet Serbia vetëm në njërën pikë kufitare. Protesta paqësore në mbrojtje të Republikës për prodhimin vendor dhe kundër Serbisë do të vazhdojë në të ardhmen edhe në forma të tjera, për çfarë  do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ndërsa njoftimi i plotë është në vijim: “Për shkak të kufizimeve që janë bërë nga policia në aspektin logjistik dhe teperaturës së ultë që po mbizotëron atje, është bërë i pamundur qëndrimi i sigurtë i protestuesve në Merdar.

Në ora 00:30 policia e Kosovës e ka arrestuar aktivistin Veton Dragusha, i cili ishte i angazhuar në bartjen e batanijeve, ushqimit, reflektorëve, e gjësendeve tjera, duke i konfiskuar ato. Këto ishin mëtuar që t’ua mundësonte protestuesve qëndrimin e sigurtë në Merdar.  Njëkohësisht policia i ka bllokuar të gjitha rrugët e kryesore për në vendin e protestës, më qëllim të bllokimit të komunikimit mes qendrave urbane dhe protestës.

Në orën 01:35, përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e kanë mbyllur protestën e sotme në Merdar që ishte organizuar në mbrojtje të Republikës dhe prodhimeve të vendit.
Në shenjë përgjegjësie për mirëqenien e protestuesve, udhëheqësit e Lëvizjës VETËVENDOSJE! u kanë kërkuar atyre që të shpërndahen në mënyrë të qetë.

Shpend Ahmeti iu drejtua protestuesve dhe gazetarëve të pranishëm: “Duke qenë se u bë i pamundshëm qëndrimi te Dheu i Bardhë ku tashmë hynë veturat dhe maunet me mallra serbe, u vendos që tani nuk është më e arsyeshme që të bllokohet Serbia vetëm në njërën pikë kufitare. Protesta paqësore në mbrojtje të Republikës për prodhimin vendor dhe kundër Serbisë do të vazhdojë në të ardhmen edhe në forma të tjera, për çfarë  do të njoftoheni me kohë.”

Me 14 janar dhe sot nga fillimi i protestës e deri në mbylljen e saj, në Kosovë, nuk ka hyrë asnjë maune me mallra të Serbisë dhe asnjë veturë me targa të Serbisë. Pra, këto dy ditë në Kosovë u zbatua reciprociteti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! falenderon të gjithë qytetarët që na kanë mbështetur, qoftë me prezencën fizike duke marrë pjesë masivisht në protestat tona, apo edhe përmes ndihmës së ofruar me ushqim dhe materiale të ndryshme.

Protesta paqësore e sotme e demokratizon republikën. Reciprociteti e mbron republikën dhe na i forcon kufijtë shtetëror”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

************************

Dheu i Bardhë (PLOTËSUAR, 23 Janar 01:00) – Vetëvendosje përmes një njoftimi ka dërguar një njoftimin për ndërprerjen e protestës te Dheu i Bardhë.  Siç ka njoftuar Gazeta Express, kjo nuk duket të jetë arsye kryesore e ndërprerjes së protestës. Policia ka bërë të ditur se rreth orës 22:05 në rrugën magjistrale Gjilan-Ferizaj, gjegjësisht në fshatin Radivojcë komuna e Vitisë, në autobusin të cilin udhëtonin protestuesit e “Vetëvendosjes” të cilit ishin duke u kthyer për Prizren- Dragash, ka ndodhur një incident, ku si pasojë e incidentit një person është therur me thikë.

Sipas policisë, viktima është i lënduar në dorën e majtë dhe sipas vlerësimit të mjekëve është jashtë rrezikut për jetë. “Viktima gjendet në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan. Njësiti policor nga stacionit policor i Vitisë ka ndaluar autobusin dhe është në kërkim të personit të dyshuar si dhe është duke intervistuar disa persona ne cilësi te personave të dyshuar lidhur me rastin”, thuhet në njoftim.

Merret vesh se shkaku kryesor është se te kjo pikë kufitare ka ndodhur një incident mes vetë protestuesve. Aty ka ndodhur një rrahje masive mes protestuesve nga Gjilani dhe atyre nga Ferizaj. Shkas i kësaj është bërë ajo se kush do të hynte më parë në autobusë.

Ndërkohë që Vetëvendosje ka njoftuar se disa nga protestuesit që ishin tek Dheu i Bardhë janë nisur për t’iu bashkuar protestuesve në Merdarë. Vetëvendosje nuk e ka qartësuar nëse protesta tek Dheu i Bardhë do të vazhdon të nesërmen.

Njoftimi i plotë i Vetëvendosjes është me sa vijon: “Me 14 Janar, pushteti provoi të shtyp me dhunë protestën paqësore, derisa me 22 Janar qeveria zgjodhi metoda tjera për të pamundësuar mbarëvajtjen e protestës. Kjo luftë speciale nga qeveria e Kosovës ka vazhduar gjatë tërë ditës. Janë penguar nga policia të gjitha mjetet logjistike të cilat do t’i ndihmonin protestuesve për t’i tejkaluar temperaturat shumë të ulta, si tendat, drunjtë për ngrohjë, reflektorët, gjeneratorët, ushqimet dhe pijet.

Për shkak të kufizimeve që janë bërë nga policia në aspektin logjistik që ka pamundësuar qëndrimin e sigurtë të protestuesve te Dheu i Bardhë, përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mënyrë të përgjegjshme e kanë mbyllur protestën e sotme te Dheu i Bardhë. Një numër i protestuesve kanë vazhduar rrugëtimin për t’iu bashkangjitur protestës në Merdare.

Rreth orës 22.00 pas shpalljes se mbylljes se protestes ka pasur një problem mes disa protestuesve, por jo për arsye politike. Kanë qenë probleme personale dhe të izoluara. Me këto merret policia dhe kjo nuk ka lidhje me anulimin e protestës.

Sikurse tek Dheu i Bardhë, ashtu edhe në Merdare, udhëheqësit e Lëvizjes i kanë bërë vazhdimisht thirrje protestuesve që të jenë të qetë dhe të matur. Ata thanë se kushdo që nuk i përmbahet skenarit paqësor do të konsiderohet se nuk është pjesë e Lëvizjes tonë dhe se nuk janë të mireseardhur të qëndrojnë në mesin e protestuesve”, thuhet në njoftimin e dërguar më herët.

************************

Merdare (PLOTESUAR, 22 Janar 22:30) Vazhdon edhe natën protesta e Lëvizjes Vetëvendosje në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Subjekti politik i përfaqësuar në Kuvendin kosovar me 12 deputetë deklaroi sot në mbrëmje se, “nuk ka synim t’i marrë nën kontroll pikat kufitare, por të bëj të mundur që të merren nën kontroll nga shteti i Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosje në njoftimet e saj të fundit thekson edhe se, sikurse tek Dheu i Bardhë, ashtu edhe në Merdare, udhëheqësit e saj, i kanë bërë vazhdimisht thirrje protestuesve që të jenë të qetë dhe të matur.

Ata thanë se “kushdo që nuk i përmbahet skenarit paqësor do të konsiderohet se nuk është pjesë e Lëvizjes dhe se nuk janë të mirëseardhur të qëndrojnë në mesin e protestuesve”.  

************************

Dheu i Bardhë (PLOTESUAR, 22 Janar 21:50) Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka thënë se tek protesta që po zhvillohet në afërsi të pikës kufitare Dheu i Bardhë, “Policia e Kosovës po e ndalon dhe pamundëson depërtimin e ushqimit dhe materialeve logjistike që janë esenciale për mirëqenien e protestuesve që po vazhdojnë të qëndrojnë atje”.

Në të njejtën kohë, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes, Policia e Kosovës “po ushtron presion ndaj protestuesve duke i detyruar vozitësit e autobusëve që të afrohen tek protestuesit dhe t’i mbledhin ata nga vendi i protestës. Ata iu kanë dhënë vozitësve të autobusëve afat prej 20 minutave për t’u kthyer mbrapa me apo pa protestuesit”.

Po ashtu, njofton VV, edhe “afër vendit ku po protestohet në Merdare policia ka ndaluar furgonin që bartte drunj për ngrohje duke i konfiskuar drunjtë dhe duke e përcjellë vozitësin për në stacionin e policisë”.

“Policia kësaj radhe në vend të intervenimit po privon protestuesit nga gjërat elementare, si ushqim, pije  dhe ngrohje, duke rrezikuar kështu shëndetin e të gjithë atyre që po vazhdojnë të qëndrojnë në protestë paqësore. E dënojmë këtë akt të dhunshëm”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Më herët, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se ka informacione për konfiskimin e materialit logjistik për protestuesit afër pikës Dheu i Bardhë, por se ky informacion nuk ishte konfirmuar zyrtarisht.

 ************************

Prishtinë (PLOTESUAR 22 Janar, 21:00)-Në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, që ka filluar rreth mesditës, e po vazhdon edhe në mbrëmje, sipas Policisë së Kosovës, nuk janë shënuar incidente.

Situata është e qetë, ndërsa rrugët vazhdojnë të jenë të hapura në një korsi.”Përveç rastit të ndalimit të një personi, nuk ka pasur asnjë incident në vendkalimin kufitar në Merdare dhe te Dheu i Bardhë”, tha pak më parë në studion e një televizioni, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Sipas tij, numri i protestuesve është në rënie në orët e mbrëmjes. Nga terreni bëhet e ditur se protestuesit pranë dy vendkalimeve kufitare me Serbinë, Merdare dhe Dheu i Bardhë, kanë ndezur zjarre për t’u ngrohur në këtë mbrëmje të ftohtë dimri, ndërsa kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë edhe natën në protestë.

************************

Merdare (PLOTESUAR 22 Janar, 20:10) Vetëvendosje ka hedhur poshtë deklaratën e Policisë së Kosovës se në pikën kufitare të Merdares kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme si dhe tre kamionë të tjerë kanë nëpër pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.

Aktivistë të Vetëvendosjes që ndodhen në të dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë ku protesta po zhvillohet tashmë prej 7 orësh, kanë thënë për LajmeShqip.com se nuk ka kaluar asnjë kamion me mallra serbe.

Ata hedhin poshtë deklaratat e policisë duke garantuar se për kaq orë ka patur reciprocitet të plotë tregtar me Serbinë.

Ata thonë se madje vetë policia ka bllokuar kalimin e automjeteve për shkak të protestës dhe se për këtë arsye nuk ka asnjë mundësi që të kalojnë maunet me mallra serbe.

************************

Prishtinë (PLOTESUAR 22 Janar, 19:10) Qeveria e Republikës së Kosovës, në një deklaratë të dhënë pak më parë për mediat, rithekson edhe një herë faktin se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

“Kjo e drejtë nuk do të vihet asnjëherë në pikëpyetje, por një gjë e tillë nuk mund të keqpërdoret nga askush dhe për asnjë qëllim”, thekson deklarata. Qeveria e Kosovës bën të ditur se është duke ndjekur nga afër zhvillimet e sotme që lidhen me protestën politike të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas qeverisë kosovare, “kjo protestë që është krejtësisht e panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, por Policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjes të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen”.

Qeveria i jep mbështetje të plotë Policisë së Kosovës në zbatimin e plotë të kompetencave ligjore për mos lejimin e bllokimit të rrugëve, pengimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të mallrave, apo marrjen nën kontroll të pikave kufitare shtetërore.

“Qeveria e Kosovës shpreh konsideratën e saj të lartë për qytetarët e Kosovës, të cilët janë distancuar nga veprime të tilla të panevojshme politike të nxitura nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat në mënyrë serioze e dëmtojnë imazhin e shtetit tonë”, thekson deklarata.

Qeveria siguron gjithashtu të gjithë qytetarët e Kosovës se, është shumë e përgjegjshme në respektimin e vendimeve të Kuvendit të Kosovës, të cilat janë në përputhje me aspiratat tona për integrime euro-atlantike.

“Prandaj, protestat politike të Lëvizjës Vetëvendosje nuk do të mund të lëkundin themelet e shtetit tonë demokratik, i cili është i përcaktuar për fqinjësi të mirë, për ekonomi të tregut të lirë dhe për integrime euroatlantike”, përfundon deklarata e Qeverisë së Kosovës.

 ************************

Podujevë (PLOTESUAR 22 Janar, 18:40) Protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje vazhdojnë të qëndrojnë edhe në mbrëmje në afërsi të dy pikave kufitare të Kosovës me Serbinë, Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Sipas Vetëvendosjes, “protesta po realizohet në mënyrë paqësore dhe në mbrojtje të Republikës” dhe numri i protestuesve është dukshëm më i madh se më 14 janar 2011.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar se, situata në të dy lokacionet ku po mbahet protesta është e qetë. Gjatë pasdites dhe në mbrëmje ka pasur raportime për komunikime mes përfaqësuesëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Policisë së Kosovës.

************************

Morinë (PLOTESUAR 22 Janar, 17:50)- Aktivistët e nisur nga Tirana, kanë arritur të kalojnë kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ata kanë hyrë në këmbë në pikën kufitare të Morinës, pasi policia ktheu mbrapsht autobusët me të cilët ishin nisur.

Sot nga Tirana u nisën dy autobusë me gati 100 aktivistë por tashmë kanë mbetur vetëm 50 prej tyre pasi një pjesë e mirë arritën të kalojnë fshehurazi me automjete private.

Ata kanë deklaruar për portalin LajmeShqip.com se ka qënë ndërhyrja e zyrës së avokatit të popullit të Kosovës që ka bërë të mundur kalimin e tyre.

Tani aktivistët janë në këmbë dhe po presin një autobus nga Prizreni që do ti marrë ata dhe do ti çojë drejt pikës kufitare të Merdarës.

************************

Morinë (PLOTESUAR 22 Janar, 17:00)- Aktivistët e nisur nga Tirana, vazhdojnë të qëndrojnë në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pritje që policia kufitare e Kosovës ti lejojë ata të futen në territorin e Kosovës.

Ata kanë deklaruar për portalin LajmeShqip.com se janë të vendosur të kalojnë kufirin dhe do të bëjnë tentativën e rradhës për të hyrë në këmbë. Por policia ka kërcënuar se do ti arrestojë në rast se bëjnë këtë përpjekje.

************************

(Podujevë 16:00) Policia ka përgënjeshtruar deklaratat e përfaqësuesve të Vetëvendosjes, se sot në Mërdare nuk ka kaluar asnjë kamion nga Serbia dhe te Dheu i Bardhë.

Sipas policisë,  gjate ditës se sotme në pike kalimin kufitare Merdare kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme si dhe tre kamionë të tjerë kanë kaluar në pikën kalimin kufitarë Dheu i Bardhë.

Sipas policisë qarkullimi është duke u zhvilluar normalisht ne dy pike kalimet kufitare.

Ndërsa sa i përket protesëts policia thotë se nuk është lajmëruar ne Policinë e Kosovës ashtu siç e thuahet në ligjin mbi Tubimet Publike.

************************

(Dheu i Bardhë 15:50 )Lëvizja Vetëvendosje njofton se forca të shtuar të njësisë speciale të Policisë së Kosovës kanë rrethuar protestuesit te Dheu i Bardhë.

Nuk dihet nëse policia po përgatitet për t’i shpërndarë protestuesit e mbledhur në këtë pikë kufitare.

Më herët, protestuesit e Vetëvendosjes në afërsi të pikës kufitare Dheu i Bardhë kanë kthyer prapa një veturë me targa serbe të Smederevës.

Ardhja e kësaj veture ka irrituar protestuesit, të cilën e kanë shkulur njërën targë nga vetura, e cila nën mbrojtje të policisë është kthyer prapa.

Po ashtu raportohet se, te Dheu i Bardhë, një veturë me targa “GL” është kthyer mbrapsht për në Serbi nga policia, pas reagimit të protestuesve

****************

(Podujevë 15:46)- Sipas njoftimeve më të fundit, në pikëkalimin kufitar në Merdare nga ana e Serbisë në Kosovë ka kaluar një maune e Maqedonisë, ndërsa protestuesit mbajnë të hapur vetëm njërën korsi të rrugës.

Ndërsa, te Dheu i Bardhë protestuesit  pak më parë nuk kanë lejuar kalimin drejt Gjilanit të një automjeti me targa të Serbisë.

Raportohet se “kjo ka krijuar një gjendje konflikti mes Policisë së Kosovës dhe prostuesve”, por situata sërish është qetësuar. Në të dyja pikat ku po protestohet situata vazhdon të jetë e qetë.

(Podujevë 15:30)-Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha pak më parë për median në Merdare se, “në këto momente ka reciprocitet me Serbinë, pasi asnjë maune e asnjë automjet nuk ka kaluar”.

Kurti siguroi gjithashtu se protesta do vazhdojë kështu paqësore.

“Kështu do jetë, sepse kështu është e drejtë, e arsyeshme, e dobishme. Kjo është protestë paqësore që demokratizon dhe mbron Republikën”, tha Kurti.

Situata vazhdon të jetë e qetë në të dy vendet e protestës, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, vendkalimet kufitare me Serbinë.

***********************

Prishtinë- dy pikave kufitare me Serbinë,  në Merdare në  verilindje afër Podujevës dhe te Dheu i Bardhë në lindje afër Gjilanit, kanë arritur sot mijëra protestues të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe në këto memente të fillimit situata është e qetë.

“Skenari ynë është tërësisht paqësor”, tha lideri Vetëvendosjes, Albin Kurti duke shpresuar se edhe skenari i Policisë do të jetë ashtu dhe mospengues.

Policia ka njoftuar një plan për ditën e sotme për lëvizjen dhe qarkullimin e lirë, ndërsa thekson se “shpreson se protesta do të jetë në harmoni me konventat dhe ligjet, përkatësisht e qetë dhe paqësore”.

Kordoni i Policisë sot është vendosur më përtej qytetit të Podujevës, më afër pikëkalimit në Merdare.

Te Dheu i Bardhë është bllokuar nga protestuesit vetëm njëra korsi e rrugës, ku janë ulur protestuesit. (LajmeShqip.com)