Lajme Shqip e Enjëte, 10 Maj 2012 14:11

Prishtinë (PLOTESUAR )-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përshëndet dhe shpreh respektin për vendimin e Tribunalit të Hagës që të lirojë të mbrohet në liri, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Ne asnjëherë nuk kemi dyshuar në drejtësinë ndërkombëtare por njëkohësisht, kemi besuar edhe në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë kryeministri Thaçi. “Sipas këtyre parimeve, vazhdojmë të besojmë se vendimi i përfundimtarë i Tribunalit të Hagës, për akuzat ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, do të jetë në përputhje me bindjen tonë, dhe ata do të lirohen”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Thaçi. (LajmeShqip.com)

*****************************

Prishtinë – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandanti i ZO të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka arritur në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, pas gati dy vitesh qëndrimi në burgun e Hagës.

Haradinajt iu mundësua mbrojtja në liri, pak kohë përpara se Tribunali ta thotë fjalën përfundimtare në këtë proces gjyqësor. Rigjykimi i pjesshëm i ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish-bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, ka nisur në muajin gusht të viti 2011.

Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm për të njëjtën akuzë më 3 prill të vitit 2008 nga, Gjykata Ndërkombëtare e Kundër Krimeve të Luftës. Vendimin e Tribunalit, që Haradinaj të mbrohet në liri, nuk e ka kundërshtuar as prokuroria.

Raportohet se një numër i madh i mediave kanë dalur ta përcjellin ardhjen e Haradinajt në Aeroport, ndërsa Kosovapress nuk ka dërguar ekipin për të gjiruar, duke respektuar kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që të mos ketë pamje gjatë arritjes së Haradinajt. (LajmeShqip.com)