Lajme Shqip e Premte, 06 Korrik 2012 08:15

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës mbylli punimet e seancës së plenare pas shqyrtimit të projektligjit për shfuqizimin e tri neneve (37, 38, 39) të Kodit Penal të Kosovës, për të cilin përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare u deklaruan në favor të heqjes së këtyre neneve.

Tre nenet problematike të Kodit Penal të Kosovës, që u vlerësuan se shkelin lirinë e shprehjes, u rikthyen në Kuvend pasi për rishqyrtimin e tyre votuan 74 deputetë.

Në seancën e 22 qershorit, Kuvendi i Kosovës, pas shqyrtimit të vendimit të Presidentes së Republikës për rishikimin e këtij Kodi, la në fuqi këto nene të Kodit Penal.

Menjëherë pas atij votimi në Kuvend, zv/kryeministri  dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi,  pat ofruar dorëheqjen, por ende nuk është njoftuar zyrtarisht nëse ajo është pranuar nga kryeministri.

Po në 22 qershor, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, i cili sapo ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të miratuar nga Qeveria, ishin hequr nenet 37, 38 dhe 39 të këtij Kodi. (LajmeShqip.com)