Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 14:45

Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në sallën e improvizuar në “Kinemanë ABC1” është mbajtur seanca e rradhës ndaj Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë për rastin e MTPT-së, në të cilën pritej të shqyrtoheshin kundërshtimet e mbrojtjes për pranueshmërinë e provave dhe kërkesa për hedhjen poshtë të akuzës.

Pjesa e parë e senacës gjyqësore ka përfunduar për të vazhduar në ora 13:45. Fatmir Limaj, Deputeti I Kuvendit të Kosovës kërkoi që në këtë proces gjyqësor nga trupi gjykues, palët të jenë të barabarta.

Gjatë paraqitjes në seancën gjyqësore, Limaj, tha se pas shumë torturave që I janë bërë atij dhe familjes së tij, tani ka ardhur koha që të dëgjohet zëri I tij.

“Jemi palë të barabarta dhe ju kisha lutur që të na respektoni dhe të na trajtoni si të barabartë. Kërkoj që të ma jepni rastin të flas, këtë të drejt ma garanton Kushtetuta. Ju lus që të respektohet barazia dhe mos të na futni në kohën e kufizuar. Unë dhe familja ime jemi torturuar që katër vite, dhe tani është koha që të dëgjohet zëri ynë”, tha Limaj, duke shtuar që në pjesën e dytë të seancës t’i jepet mundësia të flas, raporton “Epoka e re”.

Në ndërkohë, kryetarja e trupit gjykues tha se janë duke respektuar të drejtat e të gjithëve.

Avokati i Limajt, Karim Khan në përfundim të fjalës së tij ka kërkuar që të përfundoj sa më shpejt ankthi i Limajt, në mënyrë që të vihet drejtësia në vend dhe të hedhet poshtë aktakuza dhe sipas tij të ndërpritet kjo çmenduri.

Kurse, gjykatësja pas përfundimit të fjalës së Khanit tha se, është këtu për ta vënë drejtësinë.