Lajme Shqip Tuesday, 29 September 2015 15:33

Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka reaguar pas publikimit të lajmit për aktakuzë të re ndaj tij për kohën sa ishte Ministër i MTPT’së, duke e quajtur spektakël medial të nisur vite më parë duke e manipuluar të vërtetën.

Limaj, në reagimin e tij thotë se aktakuza e publikuar sot nuk është e re, por sipas tij bëhet fjalë për akuzën e vjetër, që tashmë opinioni është i njoftuar.

Ky është reagimi i plotë i Limajt:

Për hir të informimit të opinionit publik

Siç edhe e din opinioni publik, unë zakonisht nuk flas në publik për lëndët në gjykim, por atë e bëj në gjykatë.

Për hir të së vërtetës ndihem i detyruar të jap një sqarim publik në lidhje me një “njoftim për media” të lëshuar sot nga prokuroria speciale.

Rasti i MTPT-së i filluar si një spektakël medial, fatkeqësisht edhe sot pas gjithë këtyre viteve prokuroria është duke vazhduar me të njëjtin mentalitet, me mentalitetin e manipulimit të së vërtetës, me të vetmin qëllim për të vazhduar në pakufi duke shfrytëzuar dhe abuzuar me ligjin për të denigruar personalitetin tim.

Prokuroria për tashmë afro 6 vite duke mos qenë e aftë për të ndërtuar një aktakuzë të bazuar mbi prova dhe fakte ashtu siç e parasheh ligji, ka zgjedhur rrugën e abuzimit të pakufishëm me detyrën dhe obligimet e saj.

 

Njoftimi për media (deklarata) e zyrës për media të prokurorisë speciale është E PAVËRTETË, është njoftim me qëllim për të MANIPULUAR me opinionin publik, është njoftim me qëllim për të fshehur abuzimet e saj, shkeljet me ligjin që vazhdimisht i ka bërë me rastin tim.

Së pari për atë që akuzohem unë hetimet kanë filluar nga viti 2009 për të vazhduar me spektakle mediale në vitin 2010, dmth që gati 6 vite, dhe nga kjo kohë janë mbajtur vetëm seancat e konfirmimit gjyqësor dhe një seancë e vetme shqyrtuese gjyqësore diku para një viti e gjysmë.

Në vend që sipas procedurave gjyqësore të vazhdohet me procesin e shqyrtimit gjyqësor dhe kjo çështje të merr epilogun e vet, prokuroria speciale përmes njoftimit për media apo deklaratës së saj sot tenton të mashtroj opinionin duke lënë të kuptohet në njoftimin e saj se gjoja “pas një pune dhe hetimi të gjatë dhe të ndërlikuar prokuroria speciale ka ngritur një aktakuzë në rastin e MTPT-së”.

Në fakt ky është vetëm një mashtrim, sepse bëhet fjalë për akuzën e vjetër, që tashmë opinioni është shumë mirë i njohur.

Për ta vërtetuar këtë mashtrim të tyre, prokuroria sot për opinionin publik lëshon njoftim tjetër (siç tashmë opinioni është në dijeni), kurse palëve (mua dhe të tjerëve) na dorëzon krejt tjetër gjë, që të jem më i qartë, dorëzon aktakuzën e njëjtë.

Cili është qëllimi dhe pse prokuroria ka zgjedhur këtë rrugë të tillë të sjelljes dhe komunikimit ?

A është kjo drejtësi ?

A është ky shteti ligjor ?

A jemi të gjithë të barabartë para ligjit ?

A ka drejtësi të pavarur ?

Për mua tashmë janë të qarta përgjigjet në këto pyetje?