Lajme Shqip Wednesday, 12 February 2014 12:39

Partitë opozitare nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me subjektin politik, të cilin shumë shpejt pritet të deklarojë ish nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka deklaruar se partia e tij është e hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike, duke sqaruar se këtu nuk bën përjashtim as partia të cilën pritet ta formojë ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj.

Ai tha se AAK-ja çdo herë ka pasur raporte korrekte me Fatmir Limajn dhe pret që të tilla të mbesin këto raporte edhe në të ardhmen.

“Nuk dua të jap vlerësime se a ka nevojë ose jo skena politika për formacione të reja, sepse është e drejtë e gjithsecilit të formojë parti politike dhe të kandidojë për tu përfaqësuar nëpër institucionet e vendit”, ka thënë Isufi për Telegrafin.

Ndërsa, Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Telegrafin se VV-ja nuk ka problem me emrat, sepse bashkëpunimin me partitë politike e bën mbi baza të programit qeverisës dhe besimit të ndërsjellë.

“Ne tash e kemi bërë të qartë që këto kushte vlejnë për të gjitha subjektet politike dhe për asnjërën nuk ka ndonjë privilegj”, ka thënë Vraniqi për Telegrafin.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me formacioni politik, të cilin pritet të dal ish nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj.