Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 14:07

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj dhe njëri ndër themeluesit e kësaj partie, mbrëmë gjatë emisionit “Debat” në RTK, e ka bërë të qartë largimin e tij nga PDK.

Limaj gjatë këtij emisioni gjithashtu ka thënë se ai ka vendosur që të formojë një subjekt të ri politik së bashku me kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Falënderoj të gjithë ata që ndërtuam bashkë PDK-në. Falënderoj të gjithë simpatizantët e devotshëm të Partisë Demokratike të Kosovës. Ne nuk kishim rrugë tjetër. Kemi vendosur të vijmë më një ofertë të re. Shumë shpejt do të dalim me një subjekt të ri politik”, ka thënë Limaj.

Gjatë këtij emisioni, Limaj ka folur edhe për cështje të ndryshme si për Kongresin e fundit të PDK-së, duke thënë se “ai ishte kulmi” dhe “ishte një kthesë në PDK”.

Limaj e ka quajtur Kongresin e fundit të PDK-së “një njollë e zezë” për këtë parti.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë personale me kryeministrin Hashim Thaci, porse ka ardhur momenti që rrugët të ndahen.  /Lajmeshqip/