Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 19:33

Prishtinë – Në pjesën e dytë të seancës në rastin e Ministrisë se Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (MTPT), ka vazhduar sërish me leximin e aktakuzës ndaj Fatmit Limajt dhe gjashtë të tjerëve në këtë rast. Megjithatë, duke marrë parasysh aktakuzën mjaft voluminoze, prokurori, edhe pse e lexoi atë në afro 170 pika të saj, vendosi që pjesën tjetër të mbetur ta konsiderojë si të lexuar, duke i hapur kështu rrugë të pandehurve të deklarohen rreth fajësisë apo jo mbi ato që rëndojnë mbi ta.

Fillimisht Fatmir Limaj, pati rastin ta paraqesë pafajësinë e tij për të gjitha pikat e aktakuzës, dhe duke shtuar se në seancën e dytë, ai bashkë me avokatët e tij, do t’i paraqesë kundër argumentet e tij, që sipas tij, e dëshmojnë të kundërtën e asaj që prokurori pretendon në aktakuzë.

“Jam plotësisht i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës… Pres që në shqyrtimin e dytë t’i kundërshtojmë të gjitha pikat e aktakuzës, gjithashtu pres që të kem kohë të mjaftueshme”, ka thënë Limaj.

Po ashtu edhe të pandehurit e tjerë u deklaruar plotësisht të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Përgjatë deklarimit të tij, Endrit Shala, njëri prej të pandehurve në këtë rast, pos që tha se ndihet plotësisht i pafajshëm, ai shtoi se në seancën e radhët, ai së bashku me avokatin e tij, do t’i paraqesin kundër argumentet e tyre, të cilat i kundërshtojnë, siç tha ai, “pikë për pikë” akuzat e prokurorit, e për të cilat argumente ai ka thënë se është në dijeni edhe prokurori, por që ky i fundit, sipas Shalës, nuk ka dashur t’i paraqesë në shkresat e lëndës, e që për një hap të tillë Shala e konsideron edhe si obligim ligjor të prokurorit.

Pas këtyre deklarimeve, gjyqtarja e këtij rasti, derisa po deklaronte për seancat e radhës në këtë proces, ajo shkoi aq larg, saqë planifikonte seanca edhe në shtator të këtij viti.

Kjo nuk i pëlqeu fare Fatmir Limajt, e i cili e mori fjalën duke thënë se kalkulimet e gjyqtares kanë shkuar shumë larg.

Limaj i ka sugjeruar gjyqtares që të mos predikojë me rastin, por siç tha Limaj, “lë të flasim faktet”.

“Familja ime torturohet që 5 vjet nga këto përralla që u thanë deri më tash”, ka thënë më tej Limaj, duke e përfunduar deklarimin e tij.

Ndonëse Limaj është duke u ballafaquar edhe me një proces tjetër gjyqësor, atë në rastin “Kleçka”, gjatë caktimit të seancave, diskutohej edhe çështja që të mos caktohen seancat në të njëjtën kohë, pasi që Limaj është në të dyja proceset.

Por Limaj nuk la pa reaguar edhe në këtë rast, duke i thënë gjyqtares që të mos brengosej për proceset e tij gjyqësore, por të caktojë datat e seancave kurdo që ajo mendon se është më mirë, pasi që Limaj ka shfaqur vullnetin e tij që kurdo që ka seancë gjyqësore ndaj tij, ai do të jetë i pranishëm aty.

Limaj po ashtu ka kërkuar nga gjyqtarja që sa më parë se caktohen seancat gjyqësore, pasi që ai është shumë i interesuar të kuptohet e vërteta në këto raste dhe të mos jetë më gjatë peng i gjykimeve.

Në këtë drejtim, në fjalën e tij para gjyqtares, Gani Zogaj, njëri prej të akuzuarve në këtë rast, ka thënë se pos që ndihet tërësisht i pafajshëm, përfshirja e tij në këtë gjykim është tërësisht një keqkuptim, duke kërkuar kështu që sot të hedhet poshtë aktakuza ndaj tij.

Për hedhjen poshtë të aktakuzës është kujdesur avokati i tij, Skënder Musa, i cili ia ka dorëzuar gjyqtares një kërkesë në formë të shkruar që kërkon hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj klientit të tij.

Duke marrë parasysh zhvillimet në seancë, avokati i Limajt, Tomë Gashi, ka thënë se vetë kërkesa e Limajt që gjykimi të bëhet sa më shpejt, tregon për bindjen e tij në pafajësi. Gashi ka thënë se janë të gatshëm që t’i ballafaqojnë provat me akuzat e prokurorit.

“Është e qartë se kërkesa e Limajt tregon edhe në këtë aspekt pafajësinë e tij, sepse ai para kryetares së trupit gjykues kërkoi se shqyrtimi kryesor, apo fillimisht seanca e dytë të fillojë sa më shpejtë që është e mundshme. Ju e pat që prokurori vetëm e lexoi aktakuzën dhe nuk paraqiti ndonjë fakt tjetër. Ne besojmë se mbrojtja së bashku me Fatmir Limajn, por edhe të tjerët, janë të përgatitur që të përballen me këtë aktakuzë, e cila është krejtësisht e falsifikuar dhe e pambështetur asnjë provë”, ka thënë ai.

Duke marrë parasysh se pjesa më e madhe e aktakuzës ishte e bazuar në disa sms telefonik që janë shkëmbyer në mes të Fatmir Limajt, Mehmet Shkodrës, pronar i kompanisë “Inter Evropa” – kompani për ndërtimin e rrugëve, si dhe mes kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, avokati i Limajt, Tomë Gashi, ka thënë për sms se janë inekzistent.

“Gjithmonë kemi deklaruar se ato mesazhe janë mesazhe inekzistente dhe besoj se deri më tani të gjithë e kanë të qartë se ato janë një përshkrim i thjeshtë në letër të thjeshtë A4. Ato mesazhe nuk janë të dhëna nga Post-Telekomi i Kosovës, nuk kanë vulë të PTK-së dhe nuk kanë nënshkrim të personit të autorizuar. Unë besoj se ndoshta kemi edhe keqpërdorim të detyrës zyrtare të dikujt që ka prodhuar një situatë të tillë dhe mendojmë se gjithçka është bërë e qëllimshme që të dëmtohet kredibiliteti i Fatmir Limajt”, ka thënë ai. (K.P/LajmeShqip.com)