Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 11:53

Tiranë – Ministri i Shtetit për Evropën dhe NATO-n i Mbretërisë së Bashkuar,, deklaroi sot, se “Mbretëria e Bashkuar mbetet një mbrojtëse entuziaste e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Lidington vuri në dukje se anëtarësimi në BE përfshin realizimin e disa reformave, veçanërisht reformat në aspektin ekonomik, ligjor dhe administrativ.

Për këtë qëlllim, ministri britanik nënvizoi se “miqtë e Shqipërisë në BE, kërkojnë që të kapërcehet ngërçi politik, pasi ai e vështirëson procesin e integrimit europian”.

Ai kërkoi nga liderët politikw që të marrin masa për të rivendosur sa më parë procesin e dialogut politik, në mënyrë që të vazhdojnë reformat e nevojshme legjislative, për të përshpejtuar procesin e integrimit.

Lidhur me situatën e krijuar në vend pas zgjedhjeve të 8 majit, Lidington deklaroi se më e rëndësishme mbetet që vendi të ketë një qeveri dhe një opozitë kushtetuese se sa rezultati i zgjedhjeve.

“Përsa i përket detajeve, ato u takojnë institucioneve, gjykatave, por ajo që ka rëndësi nuk është rezultati, se sa fakti që palët të bëjnë përpjekje për të gjetur mirëkuptim, që të ketë një qeveri kushtetuese dhe një opozitë kushtetuese. Mund të ketë debate dhe argumente, por këto duhen bërë brenda kuadrit demokratik, kushtetues dhe ligjor. Reformat kanë rëndësi për integrimin dhe realizimi i tyre kërkon angazhimin dhe përkushtimin e palëve në Shqipëri”, theksoi Lidington.

Ndërsa i pyeur nga gazetarët lidhur me qëndrimin e opozitës për të bojkotuar Kuvendin, ministri britanik pohoi se “opozita duhet të përballojë sfidën e saj në Parlament”.

“Pas përfundimit të shpalljes së rezultateve, ajo që ka rëndësi është që opozita ta vërë qeverinë në pozita pune, që ajo të japë llogari në Parlament, por gjithashtu opozita duhet të përballojë sfidën e saj dhe kjo duhet të bëhet nëpërmjet parlamentit”, nënvizoi ai.