Lajme Shqip Thursday, 03 January 2013 21:29

Prishtinë – Në verën e këtij viti Kosova pritet të vendosë regjimin e vizave për 87 vende – kryesisht aziatike dhe afrikane, duke përmbushur një nga kërkesat e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave me BE-në.

Mirëpo, njohësit e çështjeve të integrimeve në Prishtinë e quajnë të vonuar vendimin, ndërsa theksojnë rëndësinë për përmbushjen e kushteve të tjera me theks te sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe zvogëlimi i numrit të azilkërkuesve kosovarë nëpër shtetet evropiane.

Eksperti për integrime evropiane, Shenoll Muharremi tha për Radion Evropa e Lirë se skandali rreth pasaportave biometrike ka dëmtuar reputacionin e Kosovës në liberalizimin e vizave me BE-në.

“Ne nuk po shohim që qeveria e Kosovës po harton politika dhe po investon në gjenerim të punësimit të qëndrueshëm në vend dhe në zhvillim ekonomik, që do të krijonte kushte më të mira të jetesës për kosovarët dhe kësisoj do të parandalonte ata që të kërkojnë azil në vendet e BE-së. Vetëm me fushata dhe bilborda e pa gjenerim të vendeve të punës, sigurisht se nuk do të zgjidhet ky problem”, u shpreh ai.

Në qershor të vitit të kaluar, palës kosovare iu dorëzua udhërrëfyesi zyrtar për liberalizim vizash me mbi 90 kritere, që duhen përmbushur për të lehtësuar regjimin e vizave për qytetarët e vendit.

Në mesin e kushteve të vendosura nga Komisioni Evropian hyjnë dhe politikat e migrimit, por theksohet nevoja për më shumë angazhim në procesin e riatdhesimit dhe ri-integrimit, në sigurinë e dokumente të udhëtimit, në çështjen e azilit dhe të tjera.

Eksperti për integrime, Avni Mazreku tha se vendosja e regjimit të vizave për afro 90 shtete është një nga elementet kyç drejt liberalizimit të vizave, por theksoi se dinamika e përgjithshme në përmbushjen e kritereve të vëna është e ngadaltë.

“Megjithatë është fakt evident që Kosova është e vonuar në të gjitha drejtimet, prandaj është e vonuar edhe këtu”, tha ai.

Në shkurt të këtij viti, Komisioni Evropian pritet të japë një vlerësim mbi dinamikën e përmbushjes së kritereve për heqjen e regjimit të vizave për Prishtinën zyrtare.

Muharremi tha se janë bërë përparime në fusha të ndryshme, por se nevojitet përkushtim dhe vullnet politik për eliminimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ka përparime në disa çështje teknike, por të mos harrojmë që në kriteret më kyçe që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe çështjet e drejtësisë nuk ka pasur progres. Andaj pres një vlerësim të ashtuquajtur mixed, ku kemi pasur disa përparime teknike. Por, në anën tjetër problemet më kyçe vazhdojnë të mbesin si sfida të mëdha për Kosovën”, theksoi ai.(K.N/REL/LajmeShqip.com)