Lajme Shqip Saturday, 14 January 2012 17:13

Prishtinë (Plotësuar, 15 Janar, 00:15) – Lëvizja VETËVENDOSJE! ka lëshuar një komunikatë të tretë si më poshtë: Sot, Lëvizja VETEVENDOSJE! ka mbajtur një protestë paqësore. Ne jemi ulur në rrugë para kordonave të shumta të policisë. Gjatë kësaj kohe Albin Kurti përsëriti disa herë që kjo protestë është paqësore në mbrojtje të Republikës së Kosovës dhe për prodhimin e vendit. Albini iu bëri thirrje shumë herë forcave policore që ishin në kordonin policor dhe eprorëve të tyre që të mos i sulmojnë protestuesit, sepse ata do të jenë paqësorë.

Protesta nuk ka eskaluar, por është sulmuar dhe shtypur nga ndërhyrja e dhunshme e policisë. Sot, Qeveria ka shfrytëzuar policinë për të shkaktuar dhunë ndaj protestuesve paqësor, duke e bërë Kosovën shtet policor.

Nga mëngjesi policia ka provuar ta parandalojë protestën. Rruga prej Besianës për në Merdar është bllokuar para mesditës. Asnjë automjet nuk është lejuar që të kalojë dhe, madje, as kalimtarët, pra as udhëtarët që kanë ecur këmbë.

Prej orëve të hershme të mëngjesit, post blloqe të shumta të policisë i kanë ndaluar veturat dhe autobusët që udhëtonin jo vetëm për në Merdar, edhe nëse ishin nisur për Besianë. Protestuesit e shumtë paqësor u grumbulluan para kordonit policor i cili e kishte bllokuar rrugën Besianë-Merdar dhe nuk lejonte askënd të kalojë. Masa e protestuesve shtohej vazhdimisht meqë vinin grupe protestuesish të cilët i kishte vonuar Policia e Kosovës me kontrollimet dhe bastisjet që ua kishte bërë atyre dhe veturave e autobusëve me të cilët ata po udhëtonin.

Protestuesit ishin tërësisht paqësorë gjatë gjithë kohës. Ata në asnjë moment nuk e kanë provokuar dhe as sulmuar policinë. Albin Kurti foli disa herë me megafon nga rreshti i parë i protestës duke thënë që kjo protestë nuk është kundër policisë dhe policëve por kundër Serbisë dhe në përputhje me vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Albini tha që kjo protestë është paqësore në mbrojtje të Republikës së Kosovës dhe për prodhimin e vendit. Ai iu bëri thirrje shumë herë forcave policore që ishin në kordonin policor dhe eprorëve të tyre që të mos i sulmojnë protestuesit, sepse ata do të jenë paqësorë, dhe të mos i dëgjojnë urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë së Kosovës të cilat janë vënë në shërbim të hyrjeve dhe ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë. 

Policia e Kosovës kërkoi që protestuesit t´i lejojnë automjetet të qarkullojnë dhe ashtu u bë: furgoni i VIPA Chips (prodhim i Kosovës) dhe rreth dhjetë vetura me targa të Republikës së Kosovës u lejuan që të kalojnë në drejtim të Besianës e Prishtinës.

Policëve të kordonit policor iu bashkuan forca të shumta të njësive speciale që, përkundër thirrjeve të Albinit, i sulmuan protestuesit paqësorë të cilët paraprakisht ishin ulur në asfalt para kordonit policor. Policia nisi me përdorimin e sprejit lotsjellës dhe shkopinjve të gomës dhe arrestoi me dhjetëra protestues. Dy policë e kapën Albinin por disa protestues e tërhoqën atë nga duart e policisë. Policia tashmë kishte hedhur edhe gaz lotsjellës dhe filloi edhe me topa uji të gjuajë mbi protestuesit, duke i hedhur predhat e gazit lotsjellës direkt në trupat e protestuesve, duke shkaktuar lëndime të shumta.  Përdorimi i ujit të ftohtë ka shkallëzuar djegien e shkaktuar nga gazi lotsjellës dhe është përdorur në temperatura të ulëta. Kur u errësua, të paktën 10 furgonë të policisë kanë vozitur në shpejtësi të madhe në mes të protestuesve, duke i detyruar të largohen në fushat anash rrugës, ku më pas njësia speciale i ka ndjekur protestuesit dhe i ka rrahur brutalisht.

Pas shpërndarjes së dhunshme të protestës në Besianë policia ka dërguar përforcime te Dheu i Bardhë. Deri në këtë kohë protesta ka shkuar sipas skenarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka qenë paqësore dhe është zbatuar vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet. Policia nuk ka intervenuar deri sa është errësuar. Ashtu sikur në Besianë, aktivistët janë ulur në asfalt, duke bllokuar njërën korsi të rrugës. Intervenimi i policisë ka qenë brutal, me shufra gome dhe metali, me shqelma, si dhe duke shkelur me çizme mbi protestuesit e ulur.

Dhjetëra protestues u lënduan vetëm në minutën e parë të intervenimit policor. Shumë të tjerë u lënduan e u plagosën më pas.

10 protestues janë të lënduar rëndë, 4 prej tyre janë dërguar në emergjencë. Valdrin Ahmetit i është çarë vetulla dhe i është enjtur balli meqë polici ka shtënë në drejtim të tij me pushkën që e hedhë gazin lotsjellës dhe e ka goditur Valdrinin në kokë.  Islam Gajtani është në spitalin e Dardanës i lënduar në kurriz. Ibrahim Kushtovës dhe Shpresa Sejdiut u janë thyer këmbët. Të lënduar në kokë janë Alban Jupolli dhe Burim Hoqa.

Glauk Konjufca e rrahën brenda stacionit të policisë, duke e lënduar në gjoks dhe kokë. Gjithashtu Gëzon Kastrati u rrah gjatë arrestimit e edhe brenda furgonit të policisë.

Mbi 100 protestues u arrestuan në Besianë dhe te Dheu i Bardhë. Të konfirmuar janë 114. Përfshirë 5 deputetë dhe 8 anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kemi informacione se disa të arrestuarve u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Deri tani të konfirmuar janë 15, por vetëm për 13 prej tyre i kemi emrat: Salih Zyba, Frashër Krasniqi, Hysen Durmishi, Pëllumb Xharra, Miftar Mehmeti, Musa Ajeti, Blerim Lushaku, Gëzim Hyseni, Sabri Bajraktari, Gëzim Jelliqi, Petrit Bajraktari, Genc Musa dhe Naim Bunjaku.

Bashkëngjitur keni listën e disa prej të arrestuarve dhe të lënduarve.

 

 

 

********************

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka lëshuar një komunikatë të dytë si më poshtë:

“Sot, më 14 janar, aktivistë dhe qytetarë të shumtë janë nisur për të bllokuar paqësisht pikat kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë.

Përkundër ndalesave të shumta nga Policia e Kosovës, mijëra protestues kanë arritur në afërsi të pikave kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë. Policia e Kosovës ka vendosur shumë pika kontrolli me qëllim që të vështirësojë dhe të vonojë protestuesit që t’i bashkohen protestës paqësore.

Gjithashtu, autoritetet kufitare kanë provuar të ndalojnë ardhjen e mbështetësve të protestës nga Tirana, ku ata kanë qëndruar në zonën neutrale për disa orë. Vendosmëria e tyre ka bërë që autoritetet kufitare t’jua lejojnë hyrjen në Kosovë, dhe ata tani, janë duke udhëtuar për t’iu bashkangjitur protestës. Ndërkohë që një grup i mbështetësve të protestës nga Maqedonia janë kthyer në pikën kufitare në Glloboqicë, pjesa tjetër e tyre kanë kaluar pikën kufitare në Han të Elezit dhe i janë bashkangjitur protestës tek Dheu i Bardhë.

Rreth orës 14:00 afërsisht 3.000 protestues janë mbledhur në afërsi të pikës kufitare Dheu i Bardhë.  Ata kanë arritur të bllokojnë në mënyrë paqësore njërën korsi të rrugës për të zbatuar reciprocitetin dhe po vazhdojnë protestën.

Rreth orës 12:00 Policia e Kosovës ka filluar intervenimin e dhunshëm ndaj protestuesëve në Besianë, të cilët ishin të ulur në tokë. Policia ka sulmuar protestuesit paqësor duke përdorur sprucues, gaz lotsjellës dhe topa uji. Gjithashtu policia kanë ushtruar edhe dhunë fizike ndaj protestuesëve duke përdorur shufrat e gomës. Është konfirmuar që katër protestues janë në QKUK. Ata janë: Hysen Kaqiku (1958), Besfort Morina (1988), Alban Jupolli (1991) dhe Burim Hoqa (1983).

Gjatë intervenimit kujdestarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë punuar vazhdimisht për të mbajtur nën kontroll protestuesit, duke iu bërë thirrje që të mos reagojnë ndaj provokimeve të policisë.

Deri tani, kemi informacione se janë arrestuar rreth 50 protestues, por ne kemi vetëm emrat e tetë prej tyre:

-Hysen Durmishi,

-Salih Zyba,

-Gani Krasniqi,

-Naser Shatri,

-Fisnik Ismajli,

-Blerim Manqastena,

-Durim Jasharaj,

-Skënder Merturi.

Pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë për të ndaluar protestën paqësore në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë, protestuesit nuk janë zmbrapsur.

Në këto momente, protestuesit në Besianë janë riorganizuar dhe po vazhdojnë protestën paqësore.

Lëvizja VETËVENDOSJE! iu bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës që t’ia marrim Serbisë pushtetin në Kosovë. Gjithashtu i bëjmë i thirrje Policisë së Kosovës që të mos zbatojë urdhrat e padrejta të Qeverisë së Thaçit, por vendimin e drejtë të Kuvendit.

14 janar 2012

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Sekretariati për Media dhe Komunikim”

 

Glauk Konjufca e rrahën brenda stacionit të policisë, duke e lënduar në gjoks dhe kokë. Gjithashtu Gëzon Kastrati u rrah gjatë arrestimit e edhe brenda furgonit të policisë.

Mbi 100 protestues u arrestuan në Besianë dhe te Dheu i Bardhë. Të konfirmuar janë 114. Përfshirë 5 deputetë dhe 8 anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kemi informacione se disa të arrestuarve u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Deri tani të konfirmuar janë 15, por vetëm për 13 prej tyre i kemi emrat: Salih Zyba, Frashër Krasniqi, Hysen Durmishi, Pëllumb Xharra, Miftar Mehmeti, Musa Ajeti, Blerim Lushaku, Gëzim Hyseni, Sabri Bajraktari, Gëzim Jelliqi, Petrit Bajraktari, Genc Musa dhe Naim Bunjaku.