Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 19:41

Gjirokastër – Shtetasit shqiptarë kanë dëshmuar respekt ndaj rregullave të lëvizjes së lirë në shtetet e hapësirës Shengen.

Këtë fakt e pohojnë ekspertë të policisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës në Gjirokastër, që lidh Shqipërinë me Greqinë.

Prej tyre mësohet se, që nga 15 dhjetori i vitit të kaluar, kur hyri në fuqi marrëveshja për liberalizimin e vizave, e deri më sot, më shumë se 200 mijë shtetas shqiptarë me pasaporta biometrike, kanë kaluar nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës. Ndërkohë që, nuk ka patur shkelje të afteve të deklaruara prej qytetarëve shqiptarë.

Ndonëse fluksi i lëvizjes ka qenë i lartë, qytetarët kanë respektuar afatin 3-mujor të qëndrimit brenda zonës Shengen, si dhe të gjitha kriteret e paracaktuara prej BE.

Gentian Mullai, zëdhënës i policisë së Gjirokastrës, thotë se, që kur nisi lëvizja e lirë e qytetarëve e në vazhdim, në pikën kufitare të Kakavijës, nuk është regjistruar asnjë incident në të dy anët e kufirit.

“Qytetarët shqiptarë kanë demostruar kulturë si në doganën shqiptare, ashtu dhe në atë greke”, deklaroi ai.

Ndërkohë, policia kufitare monitoron të gjithë kufirin e gjelbërt mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit prej personave me precedentë penal.