Lajme Shqip Tuesday, 25 June 2013 10:43

Prishtinë – (E plotësuar) Lëvizja Vetëvendosje i është përgjigjur deputetes së saj Alma Lama dhe akuzave të cilat ajo ia ka adresuar Albin Kurti.

Lama kishte thënë se Kurti ka devijuar programin politik me të cilën subjekti ka hyrë në Parlamentin e Kosovës duke heshtur për çështjet kombëtare të cilat janë ngritur kohëve të fundit në vend.

Lama ka përmendur disa deklarata ekstremiste të disa personave të cilat janë lëshuara kundër figurave historike shqiptare si Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Mirëpo, në përgjigjen dhënë për Express, Sekretari i VV’së, Dardan Molliqaj ia kujton deputetes Lama se për të gjitha ato çështje subjekti i tyre ka marrë qëndrimet qysh në 2011’ën. Molliqaj po ashtu ia kujtoi Lames se qëndrimet e subjektit të tyre merren brenda Kryesisë dhe Këshillit, pjesë e së cilës është edhe vetë Lama ngase mban statutin e deputetes nga ky subjekt, përmes debateve të brendshme dhe në përputhje me programin që kanë.

“Qëndrimet e marra në këto forume bëhen pas shumë debateve e diskutimeve, si pjesë e demokracisë së brendshme, shumë të rëndësishme të Lëvizjes. Edhe për çështjet e debatuara ditëve të fundit, Lëvizja ka marr qëndrime që në vitin 2011, pas shumë debateve e diskutimeve ku kanë marrë pjesë të gjithë. Kryetari, kryesia pastaj i sqarojnë këto qëndrime tek publiku dhe në debate”, thuhet në përgjigjen e Molliqaj dhënë për Express.

“Alma Lama si deputete është edhe anëtare e Këshillit dhe ka të drejtë ti shprehë të gjitha qëndrimet e saja në Këshill dhe tek kryesia, edhe kur pajtohet edhe kur nuk pajtohet, siç kanë edhe anëtarët e tjerë të Lëvizjes. Këto janë pjesë të demokracisë së brendshme”, shtoi ai.

Sekretari i VV’së ndër të tjera bëri të ditur se brenda organeve të partisë nuk janë diskutuar ende brengat e deputetes Lama por se të gjitha çështje e ngritura nga ajo si shqetësim do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të këtij subjekti.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që një anëtar i VV’së del publikisht kundër Liderit të saj Albin Kurti.

Sekretari organizatori i VV’së në Viti Arton Musliu kishte dalë nga ky subjekt duke e akuzuar Albin Kurtin për diktaturë.

I pakënaqur me Vetëvendosjen dhe liderin e saj nga ky subjekt kishte dalë edhe Rron Gjinovci. Ndërsa të njëjtën mundësie ka lënë të hapur edhe deputetja Alma Lama.

Ajo në një intervistë për “Zërin” kritikoi ashpër partinë e saj duke thënë se ka devijuar rrugën sidomos me daljen haptazi pro shamive dhe mësimit mbi fe nëpër shkolla.

“Z. Kurti, i cili promovon idenë e bashkimit kombëtar hezitoi të thoshte një fjalë të vetme kundër atyre që përmes meje, si një shqiptare e lindur në Krujë, atakuan një pjesë të kombit tonë, e që është ajo që jeton në Shqipëri. Në Kosovë u përçmua edhe figura e Skënderbeut; pak kohë më parë është fyer edhe humanistja e botës, Nënë Tereza, nesër kushedi kush do të atakohet, sepse qëllimi është të na rrënohet identiteti kombëtar”, ka thënë Lama, duke i bërë të ditura dallimet konceptuale me kreun e VV’së, Albin Kurti.

Lama tha se nuk e ka ndërmend të ndryshojë konceptet e saj thjesht për të siguruar një bashkëjetesë politike.

Por, në lidhje me mundësinë e largimit të Lamës nga VV nukështë përgjigjur Sekretari i VV’së.

 

Lëvizja Bashkohu i gëzohet largimit të Alma Lamës

 

Prishtinë – Pas deklaratës së deputetës së Vetëvendosjes Alma Lama, se ajo lë të hapur mundësinë e largimit nga kjo parti, ka ardhur edhe reagimi i Lëvizjes Bashkohu.

Kjo Lëvizje, nëpërmjet një postimi në Facebook, shkruan se “misioni ka përfunduar me sukses”.

Bashkohu vlerëson se “ata që ofendojnë dhe sulmojnë nuk kanë vend në vendin tonë”.

“Ata që na ofendojnë, ata që na urrejnë dhe ata që na sulmojnë nuk ka vend në vendin tonë! Boll më, ka kaluar koha e sundimit të ateistëve mbi myslimanë. Misioni përfundoj me sukses”, shkruan kjo Lëvizje në faqen e saj në Facebook, ku edhe ka shpërndarë linkun me lajmin se Lama mund të “divorcohet” nga Vetëvendosje.

Ndryshe, i gjithë ky debat nisi me videon e publikuar të hoxhë Irfan Salihut ku ai ofendonte femrat për amoralitet. Ndër reagimet e para që erdhën ato ditë, ishte edhe ai i deputetes Lama. E ndaj kësaj të fundit, ishin hedhur akuza të shumëta nga Forumi i Të Rinjëve Muslimanë. Mirëpo pas një kohe, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shfaqi pikëpamjet e tij në lidhje me shaminë në shkolla dhe mësimin fetar, çështje për të cilat, Kurti pati deklaruar se ishte pro të dyjave. 

 

Lamës i “mbetet hatri” nga deklaratat e Kurtit

 

http://www.lajmeshqip.com/kombetare/lames-i-mbetet-hatri-nga-deklaratat-e-kurtit