Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 10:34

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com kishte publikuar ditë më parë ekskluzivisht dy pjesë të videodëshmisë së Agim Zogajt, dëshmitait X, ndërkohë që është duke përgatitur për publikim edhe pjesën e tretë të saj.

Pjesën I dhe Pjesën II të videodëshmisë mund t’i shihni këtu.

Ndërkohë, e përditshmja kosovare Koha Ditore sjellë sot në faqen e parë letrën amanet të Dëshmitarit X, i vetëvrarë këto ditë në Gjermani.

Në fjalën e tij të fundit, në letrën amanet, Agim Zogaj akuzon EULEX-in për të gjithë fatkeqësinë jetësore që ia kishte shkaktuar.

Dëshmitari i mbrojtur X, tashmë i vdekur, ka lënë pas vetes një letër me të cilën akuzon rëndë EULEX-in për atë që ai i kishte ndjerë si tortura e presione psikike. Familja e dëshmitarit Agim Zogajt ka vendosur të mos e mbajë më sekret letrën që viktima e kishte shkruar para se të vdiste në Gjermani.

Në një kopje të asaj letre, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, dëshmitari i njohur si “X” ishte i bindur se EULEX-i e “ka masakruar psikikisht”.

Ish-komandanti i UÇK-së, që ishte dëshmitari kryesor në rastin Kleçka, në fakt, ka lënë shumë letra të shkruara në të cilat sipas familjarëve ai ka treguar në detaje për gjithçka që i ka ndodhur prej kohës kur kishte dhënë dëshminë e parë në EULEX, e deri në momentin kur kishte vendosur që t`i jepte fund jetës.

“EULEX-i po don që unë me shku në botën tjetër para se me ia nis gjykimi, e masanej ata me sejmenët e vet me ba qysh të dojnë”, shkruan Zogaj më 15 shtator 2011, trembëdhjetë ditë para se të bënte vetëvrasje.

Një kopje e ditarit që po e mban familja i është dorëzuar policisë gjermane. Gazeta kosovare ka parë pjesë të ditarit të tij dhe ka marrë nga familja letrën kryesore, që sipas bashkëshortes së Agimit, Ganimete Zogajt, i ndjeri e kishte lënë amanet që të publikohej, atëherë kur nuk do të ishte më.

Në letër ai akuzon rëndë EULEX-in dhe prokurorin e rastit Kleçka, Mauricio Salustro. Dëshmitari më i rëndësishëm në rastin ku EULEX-i akuzon nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së për krime lufte, shfryn kundër misionit të BE-së.

Letra është e nënshkruar nga Agim Zogaj dhe mban datën 29.12.2010.