Lajme Shqip Sunday, 25 October 2015 11:05

Nga “dy kapela” i mbajnë Aleksandar Spiriq, Vuçina Jankoviq, Dragan Jablanoviq, Stevan Vuloviq dhe Bratislav Nikoliq.

Janë në krye të komunave me shumicë serbe dhe ushtrojnë pushtet të dyfishtë në Kosovë, pasi mandatin e tyre e bazojnë në dy sisteme – atë të Kosovës dhe në sistemin e Serbisë.

Nuk janë të vetmit këta që formalisht mbajnë mandate, të cilat burojnë nga ligjet e shtetit që i përkasin, e faktikisht punojnë për llogari të fqinjit verior.

Ka edhe titullarë të një numri të madh institucionesh të tjera që operojnë ngjashëm. Ka edhe kompani që sa për formalitet në Kosovë janë regjistruar si të reja, e që në fakt janë degë të kompanive publike të Serbisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Dhe kupola e gjithë mekanizmave të këtillë do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është në fazë konstituimi.

Marrëveshja bazë për të është mbërritur në 2013-n, e ajo që përmban parimet mbi të cilat do të ngrihet është firmosur dy muaj më parë.

Marrëveshja për parimet ka nxitur reagime të forta në Kosovë, ngaqë konsiderohet se ajo ka cenuar drejtpërdrejtë fondamentet e shtetit të Kosovës – shpërbën karakterin e shtetit unitar.

Opozita ka bllokuar prej atëherë punën e Kuvendit dhe zhbllokimin e ka kushtëzuar me heqjen e nënshkrimit nga kjo marrëveshje.

Juristët tërheqin vërejtjen se që nga fillimi i dialogut Serbia ka imponuar një agjendë dialoguese që për qëllim final, në vend të normalizimit të situatës në veri, kishte legalizimin e prezencës së saj në kuptimin institucional në Kosovë.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se modeli i sovranitetit të dyfishtë që Serbia po e shtyn përpara vërehet jo vetëm në kuptimin e të emëruarve të lartë politikë, por edhe në kuptimin e autorësisë, për shembull, mbi pronën publike dhe shoqërore në Kosovë.