Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 14:50

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për gazetën prestigjioze franceze “Le Monde”, gjatë vizitës së tij zyrtare në Francë, është shprehur se ndarja e Kosovës është një ide shumë e rrezikshme, që do të shkaktonte dhunë dhe jostabilitet në rajon.

Në përgjigje të pyetjes se si e sheh faktin se përkundër nisjes së dialogut Beograd-Prishtinë nën ombrellën e BE-së, Qeveria serbe ka linçuar idenë e ndarjes së Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se dialogu është teknik dhe është një instrument i mirë, i cili ka për qëllim zgjidhjen e problemeve praktike.

“Ky dialog është i fokusuar në bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes dhe perspektiven evropiane. Kemi të bëjmë me një dialog midis dy shteteve të barabarta. Serbia po e keqpërdor që tre muaj: në çdo takim me përfaqësues Evropian, Qeveria e këtij shteti propozon ndarje etnike. Për ne kjo është vijë e kuqe. Ndarja e Kosovës është një ide shumë e rrezikshme, e cila do të kishte një “efekt domino” në rajon dhe do të prodhonte dhunë dhe jostabilitet”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri, po ashtu, ka thënë se në këto tre vite, që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është një vend stabil, shtet funksional dhe se integrimi i minoriteteve në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës është më i mirë se në shumë shtete në rajon.