Lajme Shqip Friday, 24 July 2015 09:50

​Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës përmes një letre të hapur kanë thënë se kryetari i komunës, Shpend Ahmeti për disa muaj nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit, duke iu shmangur debatit parlamentar lidhur me politikat e tij të cilat duhet të votohen në Kuvend.

Sipas tyre, Ahmeti e ka përdorur hapësirën mediale për të sharë, shpifur dhe denoncuar me përpjekje linçimi ndaj grupeve politike, në këtë rast të LDK-së, dhe individëve, duke mos e treguar dështimin e tij të paraqitur raport pas raporti, lidhur me mosrealizimin e projekteve buxhetore për zhvillimin e kryeqytetit, përcjell Indeksonline.

Grupi i këshilltarëve e ka quajtur Ahmetin një kryetar fals të kryeqytetit.

Ata konsiderojnë se mos prezenca e Ahmetit në mbledhjet komunale dhe mos raportimi për situatën ekonomike dhe financiare të komunës, është shkelje ligjore, si dhe shmangia nga debate është jo përgjegjësi.

Sipas tyre, shpifjet dhe linçimet dolën të jenë arma më e fortë e Shpend Ahmetit dhe qeverisja e tij i ka dy anë të zhvillimit.

“E para, duke u përpjekur të shfrytëzojë njerëzit me përvojë administrative dhe politikbërëse, grupet politike, përfshirë edhe PDK-në, e cila i ndihmoi dhe ishte vendimtare që Shpendi të bëhet kryetar komune, që përmes kësaj qasjeje t’i realizojë qëllimet politike, qoftë edhe të përkohshme; ky ishte një mashtrim i vetvetes, i Shpendit, sepse në këtë tentim shfrytëzimi, nuk kishte asnjë bazë demokratike, rrjedhimisht po provohej edhe një qeverisje false e kryetarit të Komunës. Kështu, pra, i erdhi fundi asaj që kishte të bënte me përpjekjen për mashtrim nga kryetari Ahmeti dhe qeverisjes së tij përjashtuese, kur po afroheshin me pikëpamje kundër qeverisjes së tij të dështuar, LDK dhe PDK, duke bërë shumicën parlamentare në Kuvendin e Prishtinës.

E dyta, pasi i erdhi fundi kësaj përpjekjeje për mashtrim dhe vazhdimit të qeversjes përjashtuese, Kuvendi i Komunës arriti që me shumicë demokratike të marrë vendime edhe kundër politikës antidemoktratike dhe politikave populiste të kryetarit të Prishtinës si reakcion ndaj qeverisjes së tij, po e përsërisim, përjashtuese dhe të dështuar. Kështu, po fillonte një fazë e dytë e qeverisjes Ahmeti, duke u përpjekur që përmes bojkotimit të mbledhjeve të Kuvendit të përpiqet të krijojë një atmosferë zhgënjyese dhe të mbjellë një frymë se vetëm zgjedhjet për Kuvend do të mund ta nxjerrin nga kjo gjendje Komunën e Prishtinës”, thuhet në letrën e hapur të këshilltarëve të LDK-së.