Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 10:59

Grupi i këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Prishtinës përmes një komunikate për media thotë se Shpend Ahmeti nuk është duke përfillur planin e Kuvendit komunal, ngaqë deri më tani siç thotë LDK nuk është mbajtur mbledhja e Kuvendit, e cila do të duhej të mbahej deri më tani.

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se kryetari i kryeqytetit Shpend Ahmeti e ka obligim që të nxjerrë para Kuvendit Raportin e Auditorit të Përgjithshëm dhe Raportin Gjashtëmujor të Punës.

Por, një gjë të tillë deri më tani LDK thotë se nuk e ka bërë.

“Përveçse nuk e përfilli planin e punës së Kuvendit, që e ka përkrahur vetë, kryetari Ahmeti nuk shfaqi gatishmërinë, veç tjerash, të paraqesë Raportin për gjashtëmujorin e punës së tij dhe Raportin e Auditorit të Përgjithshëm, që është obligim ligjor. Të dyja këto janë kërkesa që dalin nga ligjet përkatëse në fuqi”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Grupi i LDK-së e fton kryetarin Ahmeti që ta bëjë publik Raportin e Punës për periudhën 6 mujore të vitit 2015.

Por sipas informacioneve që ka grupi i LDK – së, thotë se administrata e kryetarit Ahmeti ka dështuar t’i realizojë pro jektet sipas planit buxhetor, sidomos ka dështuar në realizimin e projekteve kapitale, me vetëm 8,85% të investimeve në periudhën 1 janar – 30 qershor 2015.

Grupi i LDK-së konsideron se dështimi i qeverisjes, i transparencës ndaj qytetarëve dhe i demokracisë në kryeqytet, është dhe mbetet shkaku i shmangies së kryetarit të Prishtinës nga debati në Kuvendin e Komunës, tani e 7 muaj.

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës thotë se pas çfarëdo beteje politike në Prishtinë, të shkaktuar nga udhëheqja e Komunës, po bllokohet zhvillimi i demokracisë dhe zhvillimi i kryeqytetit.

“Bojkoti, humbja dhe dështimi po shkaktohet nga një qeverisje përjashtuese dhe jotransparente e kryeqytetit, qeverisje kjo e kryetarit të Komunës Shpend Ahmeti”, thuhet në komunikatë.