Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 14:19

Prishtinë – Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë e pluralizmit politik kosovar, e themeluar më 23 dhjetor 1989 nga Presidenti historik Ibrahim Rugova si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi dhe demokraci, po shënon 22-vjetorin e themelimit në komuna, duke theksuar reformat, ndërkohë që në një Kuvend në këtë muaj marsi miratoi Programin Politik, si dhe Statutin e ri.

“LDK-ja do të zhvillojë reformat për hapje ndaj të rinjve, për t’u ballafaquar me sfidat e zhvillimit, shtetndërtimit dhe integrimeve evropiane”, theksoi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cil gjatë ditës së djeshme mori pjesë në tubimet me rastin e  22 vjetorit të themelimit të degëve të partisë në Podujevë dhe në Lipjan.

Në Podujevë, Mustafa është pritur me fishkëllima nga një pjesë e pjësëmarrësve në tubim, për të cilët media raportoi se ishin përkrahës të ish-kryetarit të LDK-së e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, i cili mbrëmë deklaroi në një televizion se nuk ishte ftuar në festën e degës së partisë në komunën e vendlindjes së tij.

“Këto reforma nuk u pelqejnë të gjithëve, ka edhe nga ju që nuk ju pëlqejnë, por u pelqejnë shumicës se anëtarësisë, janë në dobi të demokracisë dhe të zhvillimit të Kosovës”, u është përgjigjur Mustafa fërshëllimave të dëgjuara në sallën e tubimit të LDK në Podujevë.

Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, është lideri i tretë në historikun e partisë, i zgjedhur në kuvendin e nëntorit të vitit 2010 në garën me pasuesin e Rugovës, kryetarin e deriatëhershëm, Fatmir Sejdiun, i cili pastaj u shpall në kuvend kryetar nderi.

Në ndonjë media spekulohet për një “përçarje të re” në LDK, duke përkujtuar Kuvendin e Gjashtë, pas vdekjes së Rugovës, kur ish-kryeparlamentari Nexhat Daci, pasi u mund nga Sejdiu në garën për kryetar të partisë, nga fraksioni i vet formoi partinë e re Lidhjen Demokratike të Dardanisë, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk e kaloi pragun zgjedhor dhe mbeti jashtë Kuvendit të Kosovës.

Edhe figura të tjera të LDK-së , që më herët a më vonë kanë formuar parti të tjera, si Bujar Bukoshi apo Edita Tahiri  kanë mbetur jashtë Kuvendit të zgjedhjeve të fundit në Kosovë.
LDK në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi 27 vende deputetësh në Kuvendin e Republikës së Kosovës.