Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 14:59

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë shprehur pozicione të ndryshme në lidhje me këtë marrëveshje.

Përderisa LDK-ja me disa vërejtje ka mbështetur arritjen e marrëveshjes dhe pret që ajo të zbatohet, Vetëvendosje e ka kundërshtuar në tërësi atë, duke e vlerësuar si sabotim të shtet-ndërtimit të Kosovës. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në parim ka mbështetur marrëveshjen e Brukselit.

Ndërkaq, ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë trysninë e nevojshme mbi Beogradin që marrëveshja të zbatohet edhe në praktikë. ​“Natyrisht që nuk mund të pritet gjithmonë që dialogu t’i plotëson të gjitha pritjet dhe kërkesat që ne i kemi pasur. Por shpresojmë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kontribuojnë që Serbia të implementojë atë që ka marrë si obligim nga ky dialog në mënyrë që të mos interpretohet me dy kuptimësi, nga organet e Kosovës dhe atyre të Serbisë, dhe të mundësohet që përmes kësaj marrëveshje të ushtrohet pushteti në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Një qëndrim krejtësisht kundër marrëveshjes ka shprehur Lëvizja Vetëvendosje.Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se 15 pikat e marrëveshjes janë të dëmshme dhe kundër shtet-ndërtimit të Kosovës. Ai ka theksuar se me këtë marrëveshje, Serbia ka realizuar synimet e saj për të mos lejuar shtrirjen e pushtetit të shtetit të Kosovës në veri, përderisa kryeministri Thaçi ka pranuar pa asnjë kusht marrëveshjen e ofruar.

“Kjo marrëveshje është sabotim i përbashkët i shtet-ndërtimit të Kosovës ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit. Kjo marrëveshje është marrëveshje, me të cilën Thaçi e Daçiqi e dështojnë shtet-ndërtimin në Kosovë dhe Serbia legjitimohet dhe forcohet Brenda shtetit të pavarur të Kosovës që sërish nuk njihet nga ana e Serbisë”, ka thënë Kurti.

Sidoqoftë, marrëveshja Thaçi – Daçiq e ndërmjetësuar nga baronesha Catherine Ashton ka marrë edhe një mbështetje të gjerë të faktorit ndërkombëtar. Kjo marrëveshje tani pritet të plotësohet edhe me aneksin për zbatimin e saj, ku palë do të jenë Kosova, Serbia dhe Bashkimi Evropian, por në disa fusha edhe me asistencën e strukturave tjera ndërkombëtare.(REL/LajmeShqip.com)