Lajme Shqip Monday, 23 June 2014 12:46

Jo të gjithë kanë kultivuar hashash në Lazarat. Të paktën 40 familje janë “të pastra”. Nuk kanë mbjellë ndonjëherë qoftë edhe një rrënjë të vetme cannabis sattiva, e aq më pak të kenë mbajtur armë apo municion në shtëpi. Këtë nuk e kanë bërë, jo se ishte e jashtëligjshme, por sepse nuk ua lejon feja, e quajnë “haram”.

Bëhet fjalë për 40 familje, besimtarë të devotshëm të fesë islame, që nuk u tunduan kurrë, e as nuk xhelozuan fqinjët e shumtë që pasuroheshin shpejt me kultivim droge. Këtë nuk e thonë vetëm ata, apo fqinjët e tyre, por e thonë edhe vetëm forcat e Policisë që prej 4 ditësh po kryejnë kontrolle shtëpi më shtëpi. 

“Nuk u kemi gjetur asgjë të jashtëligjshme. Ndryshe nga fqinjët, këto familje myslimane, në vend të hashashit kishin mbjellë qepë, domate e perime të tjera”, na thonë disa prej oficerëve të forcave speciale që kanë kryer kontroll në banesat e tyre. Që të gjithë banorët e Lazaratit kultivonin drogë, ishte një ide që nuk e kishim krijuar vetëm ne, por edhe vetë Policia e Shtetit. Por ndodhi që pasi Policia u fut në fshat, u përballën edhe me njerëz që kishin zbatuar ligjin. Madje një besimtar mysliman, që sapo kishte krijuar familjen e tij të re, kishte preferuar të jetojë në një shtëpi përdhese modeste, duke refuzuar vilën dykatëshe që i kishte dhuruar i ati. 

Arsyeja: Shtëpia ishte ndërtuar me para të fituara nga droga. Por ndodh që, edhe pse nuk kanë kultivuar hashash, një prej tyre, Kresho Gërveshi, 70-vjeçar, vazhdon të jetë i shoqëruar në Policinë e Gjirokastrës. Në oborrin e banesës së tij u gjet një automatik, që me shumë mundësi është hedhur aty kur grupet e armatosura kanë vendosur të ndalojnë luftën kundër Policisë dhe janë larguar nga fshati. Megjithatë derisa të sqarohet e gjithë kjo situatë, i moshuari do vazhdojë të mbahet në qeli, ndonëse edhe vetë Policia dyshon se arma nuk ka lidhje me të. Familjarët e Gërveshit refuzojnë të prononcohen rreth këtij incidenti që u ka ndodhur. Edhe kjo për shkak të fesë./Express/