Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 10:18

Tre eprorët e lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga Zona Operative e Llapit, Rrustem Mustafa, Latif Gashi e Nazif Mehmeti, deklaruan se nuk kanë bërë krime gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Ata këto dëshmi i paraqitën, të mërkurën, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, ku është mbajtur seanca gjyqësore e shkallës së dytë. Seanca është mbajtur pas ankesave të parashtruara nga mbrojtësit e të pandehurve në lidhje me aktgjykimin fajësues të shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në qershor të 2013-s.

Kjo e fundit i kishte shpallur fajtorë që të tretë me arsyetimin se i kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore të ndaluarit në Llapashticë, i kanë torturuar, ua kanë cenuar integritetin trupor, etj.

Për këtë vepër penale, që ka qenë pika e tetë e aktakuzës fillestare, si dhe bazuar në një vendim të mëhershëm që e ka marrë formën e prerë Latif Gashi në 2013-n është dënuar me një dënim unik prej gjashtë vjetësh, Rrustem Mustafa ishte dënuar me katër vjet, ndërsa Nazif Mehmeti me tri vjet heqje lirie./Zëri/