Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 18:33

Tiranë – Ambasadori Lamberto Zannier nga Italia u emërua Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së, me një vendim të njëzëshëm të Këshillit Ministerial nga të 56 shtetet pjesëmarrëse të Organizatës, njoftoi sot Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri lituan i Punëve të Jashtme, Audronius Azubalis.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, zyra e shtypit e OSBE-së në Tiranë, bëri të ditur se në fjalën e tij Azubalis u shpreh se këto janë kohë kritike për shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, sepse duhet të trajtojnë sfidat aktuale në fushën e sigurisë, duke përfshirë këtu konfliktet e stërzgjatura në rajon.

Ai vuri në dukje se “ne duhet të përgatitemi për t’u përballur me efikasitet me kërcënimet e reja apo në lindje e sipër, si dhe duhen të marrim përsipër përgjegjësitë tona më të gjera në mbështetje të vendeve partnere, duke përfshirë këtu Afganistanin dhe shtetet e Afrikës Veriore”.

Më tej kryediplomati lituan nënvizoi se, “Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së duhet t’i mbështesë dhe t’i çojë përpara këto përpjekje”, ndërsa shprehu bindjen se përvoja dhe ekspertiza e Ambasadorit Zannier do të na shërbejnë më së miri në vitet që do të vijnë.

Zannier, i cili është diplomat karriere, ka qenë Drejtor i Qendrës së OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve, në periudhën 2002-2006.

Që nga qershori i vitit 2008, ai ka shërbyer si Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe Kreu i Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

“Kam nderin të marr postin e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Organizate, të cilën e njoh aq mirë dhe e cila luan një rol kyç për promovimin e vlerave dhe luftimin e kërcënimeve të përbashkëta në fushën e sigurisë”, tha Zannier, i cili e merr detyrën më 1 korrik.

Ai tha se, pret me padurim të punoj së bashku me shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së në trajtimin e këtyre sfidave.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së shërben si përfaqësues i Kryetarit të Radhës dhe si kryezyrtar administrativ i OSBE-së. Ai emërohet nga Këshilli Ministerial për një periudhë trevjeçare dhe mund të riemërohet për një mandat të dytë.