Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 07:28

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi mbrëmë vonë numërimin e votave të kontestuara në njësinë bashkiake nr. 5, të KZAZ-së numër 49 në Tiranë.
Pas hapjes së kutive të votimit të kësaj njësie dhe numërimit të fletëve të kontestuara, rezultoi se kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, ka marrë 7 vota dhe rivali i tij, kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama, ka marrë 3 vota. Me këtë rezultat, Basha vazhdon të kryesojë ndaj Ramës me 82 vota.
KQZ filloi të shtunën procesin e hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të kontestuara në 368 qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë.
Deri tani përgjatë tre ditëve KQZ ka hapur mbi 630 kuti, nga 1793 që është në total numri i parashikuar, në vendimin e Kolegjit Zgjedhor.
Numërimi bëhet nga 8 grupe njëkohësisht, në të cilat bëjnë pjesë dy punonjës të administratës së KQZ-së dhe nga një përfaqësues i dy forcave politike, PD-së dhe PS-së.
Ditën e nesërme, KQZ do të vijojë me numërimin e fletëve të kontestuara të njësive bashkiake nr. 6 dhe nr. 7.