Lajme Shqip Thursday, 26 June 2014 13:51

Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje në nder të bizesmenit Artan Santo, që u ekzekutua  mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Blloklut, në Tiranë. Atentati solli reagime të mëdha nga politikanët shqiptarë dhe nga mediat ndërkombëtare. 

Deputeti socialist Blushi kërkoi që t’i shkohet deri në fund zbardhjes së kësaj ngjarjeje mafioze.  Nga selia Kuvendi, Blushi tha se “qeveria duhet  të bëj gjithcka për të zbuluar autorët. Duhet t’i shkohet deri në fund zbardhjes së kësaj ngjarjeje mafioze.  Qeveria t’i marrë në mbrojtje drejtorët e bankave. Ngushëllime familjes”.

Ndërkohë edhe deputeti i PD-së, Ristani deklaroi se ekzekutimi i biznesmenit, ishte një deshmi sesa e pambrojtur është jeta në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, deputeti Arben Ristani tha se “ezkekutimi mafioz dëshmon se krimi ka arritur në ato nivele të organizimit dhe kurajos, sa të marrë jetën e një personaliteti të fushës së tij, të një biznesmeni nga më të spikaturit, pa ju dridhur dora gjakatare”, tha Ristani.

Biznesmeni Artan Santo u godit me gjashtë plumba pistolete në kokë dhe në trup rreth orës 9 e 15 minuta. Santo, 58-vjeçar, u qëllua pak metra nga vendi i tij i punës në bankën Credins të cilën e drejtonte prej vitesh.

Ndërkohë policia e kryeqytetit ka vendosur në dispozicion një shpërblim prej 100 mijë eurosh, për çdo informacion të vlefshëm që do të cojë në kapjen e autorëve.