Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 11:36

Prishtinë – Mes tensionesh dhe përplasjesh të forta, Kuvendi i Kosovës miratoi marrëveshjen 15-pikëshe e cila u arrit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiç.

Më të zëshmit kundër marrëveshjes ishin deputetët e lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti akuzoi kryeministrin Thaçi se me këtë marrëveshje do të krijojë Bosnjen e dytë: “Me këto 15 pika bosnjezohet Kosova duke u shndërruar në shtet jofunksional dhe duke shkuar drejt dështimit të sigurtë. Për hir të pushtetit të tij, Thaçi sakrifikoi shqiptarët në veri të Kosovës dhe ata në Kosovën lindore.”

Pas pesë orë diskutimesh, Vetëvendosja ndërmorri një aksion simbolik në momentin kur kryeministri Thaçi propozoi rezolutën që i kërkon Kuvendit pëlqimin e marrëveshjes.

Në të njëjtën kohë, jashtë Kuvendit u mblodhën qindra aktivistë të Vetëvendosjes që bënë thirrje për mosvotimin e marrëveshjes. Ndërsa aksionet vazhdonin paralelisht me njëra-tjetrën, brenda sallës, me pankarta në duar deputetët e Vetëvendosjes qëndruan në këmbë për më shumë se një orë. Ata i kërkuan kryetarit të Kuvendit që të mos e hedhë për votim rezolutën e propozuar nga kryeministri Thaçi.

Përkundër kërkesës së Vetëvendosjes për ndërprerjen e seancës, kryeministri Hashim Thaçi kërkoi vazhdimin e saj dhe votimin e rezolutës. Pas një pause prej disa minutash, deputetët u kthyen dhe brenda pak sekondash kryen procedurën e votimit.

89 deputetë votuan pro rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, 5 abstenuan dhe vetëm 1 ishte kundër.

Kryeministri i Kosovës, gjatë seancës, deklaroi se marrëveshja kompleton pakon Ahtisari dhe konsolidon tërësinë territoriale të Kosovës: “Asnjëra palë nuk do të bllokojë progresin e palës tjetër në rrugën drejt Bashkimit Europian. Presim që 5 vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt.”

Kundër marrëveshjes u deklarua edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai e konsideroi autonomi atë që kanë akorduar kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë: “Fakti që është bërë kompromis do të thotë se është shkuar përtej dokumentit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, përtej Kushtetutës dhe ligjeve që kemi miratuar. Ajo që mungon këtu është vetëm emri autonomi.”

Përkrahës të marrëveshjes u deklaruan Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe përfaqësuesit e minoriteteve. Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, i cili ka qenë koordinator i bisedimeve deklaroi se marrëveshja do të zgjidhë problemin e Veriut. (LajmeShqip.com)