Lajme Shqip Friday, 21 June 2013 09:03

Prishtinë – Zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel e arritur mes dy kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, po del që s’mund të gjejë zbatim pa nisur me ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës.

Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendësin e tij Hajredin Kuçi, se nuk do të ketë implikime në Kushtetutë, e vërteta po del të jetë krejt ndryshe.

Në dokumentet që ka siguruar gazeta “Tribuna”, është vetë Qeveria që para disa ditësh i ka dorëzuar në Kuvend dy ligje, zbatimi i të cilëve nuk mund të bëhet pa u ndryshuar Kushtetuta.

Është Ligji për vetëqeverisje lokale, ku përfshihet krijimi i asociacionit me komuna serbe dhe Ligji për të drejtat e komuniteteve, ku si kategori tashmë është futur edhe komuniteti malazez e kroat.

Ndryshimet në këto ligje, pashmangshëm po çojnë edhe në ndryshimin e Kushtetutës. Këtë e pranojnë edhe vetë njerëzit që kanë punuar në hartimin e Kushtetutës.