Lajme Shqip Friday, 09 November 2012 14:36

Prishtinë – Ish-kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kushner, duke folur për veriun e Kosovës ka thënë se nuk ka nevojë për një autonomi substanciale për pjesën veriore të Mitrovicës. Kurse sa i përket integrimit të Serbisë në BE, Kushner ka thënë se pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka BE për Serbinë.

Ndërkaq, për akuzat rreth trafikimit me organet ai ka thënë të mos ketë dëgjuar kurrë për një gjë të tillë në kohën sa ai ishte në krye të UNMIK-ut. Ai këto komente i ka bërë në një konferencë për media.

“Ju jeni të pavarur dhe afër 100 shtete e kanë njohur pavarësinë dhe të tjerat do të vijnë. Autonomia substanciale nuk është e nevojshme dhe ishte e qartë kur unë kam ardhur. Në fakt autonomia substanciale ka domethënien e rrugës drejt pavarësisë.

Por unë isha duke folur për pjesën veriore deri në Mitrovicë dhe mendoj se ka hapësirë për negociata për këtë pjesë të vendit, për autonomi substanciale, ashtu siç ka qenë që nga fillimi i krizës të përcaktuar nga komuniteti ndërkombëtar, pastaj nga plani Ahtisaari”, ka thënë Kushner. (LajmeShqip.com)