Lajme Shqip Sunday, 28 July 2013 14:57

Prishtinë – Sa herë lindin dyshime se ndonjë ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë, aty është edhe prokurori Maurizio Salustro.
Ai është zyrtari i vetëm i misionit të EULEX’it nëpër duart e të cilit kalojnë gjitha këto raste. Duke u nisur nga viti 2003 e deri më sot, janë plot tetë raste të tilla me të cilat është marrë dhe po merret prokurori Salustro. Disa ka arritur t’i dënojë e disa janë në proces gjyqësor.
Rasti i parë ishte ai i grupit të Llapit. Hetimet e para për ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit kanë filluar në vitin 2001. Gjykimi pati filluar në vitin 2002, derisa aktgjykimi qe shpallur nga drejtësia e UNMIK’ut në korrik të vitit 2003. Asokohe, Latif Gashi, Rrustem Mustafa, Nazif Mehmeti si dhe tashmë i ndjeri Naim Kadriu qenë dënuar me gjithsej 45 vjet heqje lirie. Ky i fundit ka vdekur në një aksident komunikacioni.
Rasti i njëjtë u kthye në rigjykim për tri herë me radhë. Dy herët e para prokuror ishte Maurizio Salustro, derisa në rastin e tretë dhe të fundit prokuror ishte Charles Hardway i cili i dënoi ata me 13 vjet burg.
Salustros iu besua edhe rasti i “Kleçkës”. Në mesin e 10 ish-ushtarëve të UÇK’së për të cilët është ngritur aktakuzë në vitin 2011 është edhe deputeti Fatmir Limaj, i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës.
Pas shumë proceseve gjyqësore, Fatmir Limaj Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Refi Mazreku, Arben Krasniqi, Shaban Shalë, Behlul Limaj dhe Besim Shurdhajt të gjitha ish-ushtarë. Por edhe ky rast u kthye në rigjykim në dhjetor të vitit të kaluar dhe vendimi pritet të merret në shtator të këtij viti. I njëjti prokuror në vitin 2010 ka ngritur aktakuzë edhe kundër Sabit Gecit njërit prej ish-komandantëve të UÇK-së dhe Riza Alijajn, që të dy nën akuzën e njëjtë, për krime lufte në fshatin lufte në Ponoshec të Gjakovës. Një rast tjetër me po të njëjtat motive, krime të luftës gjatë vitit 1999 është edhe ai i vëllezërve Geci nga fshati Llaushë të Drenicës, me të cilin po merret Salustro. Të arrestuar në nëntor të vitit të kaluar Rrustem, Hetem dhe Sabit Geci po vazhdojnë të gjykohen në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë.
E po i njëjti prokuror, është marrë me tri rastet e të vetëquajturit agjenti i SHIK-ut, Nazim Bllaca, i cili ishte dëshmitar bashkëpunues i EULEX në dy raste “Bllaca 1” dhe “Bllaca 2”, derisa u dënua javë më parë me 4 vite e 5 muaj burg. Në dy rastet Salustro ka arritur t’i dënojë me 18 vjet burg Fahredin Gashin dhe me gjithsej 54 vjet dënim, pesë të pandehurit Shpresim Uka, Bekim Syla, Driton Hajdari, Sadik Abazi dhe Shaban Syla. Derisa në “Bllaca 3” në të cilin Nazim Bllaca e ka pranuar se e ka vrarë Ibush Kllokoqin, prokurori ka kërkuar dënim minimal për të, për shkak të statusit që Bllaca kishte në dy rastet e para. Si rezultat a u dënua më pak se pesë vite.
Megjithëse arrestimet dhe vendosmëria e Salustros për t’u marrë me ish- ushtarët e ish-komandantët e UÇK’së, nuk përfundon këtu. Së fundmi ai dha urdhër për arrestimin e shtatë ish-ushtarëve e komandantëve të zonës së Drenicës, i njohur si “Grupi i Drenicës”. Në mesin e të arrestuarve është Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimit dhe ish- Komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku. Të dyshuar të tjerë janë edhe ish- komandanti i brigadës 111, Jahir Demaku, vëllau i tij Zeqir Demaku, Sahit Jashari, Avni Zabeli dhe Hysni Thaçi.
Selimi akuzohet për shtatë vepra penale, Lushtaku me tri vepra penale, ndërsa Sahit Jashari me tetë vepra penale. Sipas pretendimeve të Salustros ish- pjesëtarët e UÇK’së dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK’së në Likovc (komuna e Skenderajt). Derisa Sami Lushtaku dyshohet për vrasjen e një civili. Hetimet për këtë rast, janë në fazën fillestare.

EULEX: Salustro është shefi

E për krejt këto EULEX ka një shpjegim të thjeshtë. Sipas tyre Salustro përcaktohet për ndjekjen e të gjitha rasteve të dyshuara për krime të luftës, për arsye se ai është Shef i Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës. “Maurizio Salustro është Shef i Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës”, ishte përgjigja e vetme që zyra e informimit në EULEX dha për Express. Derisa preferojnë të mos flasin më shumë për biografinë e këtij prokurori. Express ka pritur plot dy javë nga EULEX për një biografi të Salustros, përfshirë edhe punën e tij si prokuror në shtetin italian. Përgjigja e tyre e vetme ishte që ky mision nuk ka një biografi të tij.
I lindur në Romë me 18 korrik të vitit 1955, Maurizio Salustro thuhet se në Itali është marrë me suksesshëm me krime të rënda, duke përfshirë këtu edhe mafinë e atij shteti. Fillimisht si gjyqtar në mandatin e UNMIK’ut Salustro erdhi në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës./Express/Lajmeshqip/.