Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 21:10

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli e ka pritur të enjten ministren kosovare të Tregtisë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Më parë se sa të flasin për bashkëpunimin midis të dy vendeve, ato kanë diskutuar për femrën e pushtetshme në të dyja vendet shqiptare.

Jozefina Topalli ka thënë se femra në Kosovë është më e përfaqësuar se sa ajo në Shqipëri, në piramidën e pushtetit, kurse Mimoza Kusari Lila i ka thënë Topallit: “Në Kosovë të shohim si model shumë pozitiv në krye të Kuvendit të Shqipërisë”.

Përafrimi i legjislacionit midis Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht, për sa iu përket procedurave doganore dhe ekonomike, ishte ndër temat kryesore të takimit midis Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe zv/kryeministres dhe ministres për Tregti dhe Industri të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë vlerësoi faktin që gratë në Kosovë po përfaqësohen denjësisht në nivelet më të larta, deri në Presidencë.

Nga ana e saj, zv/kryeministrja e Kosovës falënderoi Kryetaren e Kuvendit për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës.

Ajo i përcolli Kryeparlamentares Topalli respektin për kontributin e saj, duke shtuar se “çdo femër në Kosovë e sheh si model shumë pozitiv punën tuaj në krye të Kuvendit të Shqipërisë”.

Dy bashkëbisedueset ndanë mendimin se Rruga e Kombit, veç afrimit njerëzor, pati një efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e shkëmbimit ekonomik dhe krijimin e një hapësire më të gjerë të tregtisë në rajon e përtej.

Zojna Jozefina Topalli tha se ndihet mirë që eksportet nga Shqipëria në Kosovë janë rritur në rreth 50 për qind sikundër ka edhe një rritje të ndjeshme të eksporteve të Kosovës drejt Shqipërisë, falë krijimit të doganave të përbashkëta dhe lehtësimit të procedurave tregtare.

Kryetarja e Kuvendit tha se përafrimi i legjislacionit mes dy vendeve është domosdoshmëri, veçanërisht në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian.

Kryetarja e Kuvendit ofroi mbështetje të gjithashme, veçanërisht në ekspertizën ligjore dhe shkëmbimit të përvojës në hartimin e miratimin e ligjeve me karakter ekonomik.