Lajme Shqip Tuesday, 14 May 2013 15:57

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, në përbërjen e Albin Kurtit, kryetar i saj dhe i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë, Visar Ymeri, deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Florin Krasniqi, deputet i kësaj lëvizjeje dhe Boiken Abazi, koordinator i sekretariateve në Lëvizje, do të qëndrojnë për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke filluar nga data 24 maj, u njoftua përmes një komunikate.

Gjatë qëndrimit në SHBA ky delegacion do zhvillojë takime me përfaqësues dhe organizata të shtetit dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan në SHBA. Anëtarët e tij do t’i informojnë mikpritësit me situatën aktuale ekonomiko-politike në Kosovë.

 Sipas komunikatës, delegacioni do të qëndrojë në Washington DC, New York, Boston, Detroit, Chicago dhe Dallas.

 Albin Kurti është i ftuar në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës për t’i mbajtur disa ligjërata në disa organizata në SHBA, dhe po ashtu në këtë cilësi do të zhvillojë edhe takime me kongresmenë e përfaqësues të tjerë të shtetit amerikan.