Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 18:48

Prishtinë – Ashtu siç ishte paralajmëruar, se do të jetë paqësore, ashtu edhe është zhvilluar dhe ka përfunduar, të mërkurën, në Prishtinë, protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, me moton “Kundër hajnisë”.

Marshi protestues prej disa mijëra vetësh është nisur nga Biblioteka Kombëtare, përgjatë Sheshit “Nënë Tereza”, për t’u ndalur para Tetarit Kombëtar, pasi që policia kishte bllokuar rrugën afër ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në adresimin para protestueseve, pasi ka konstatuar se shteti po vidhet nga pushteti, tha se “shteti duhet të lirohet nga pushteti aktual” duke u shprehur se “do të eliminohen hajnat prej politikës”.

“Këta politikanë, të cilët dolën si njerëzit më të pasur në Kosovë, sepse janë ditën politikanë e natën biznismenë, janë politikanë që po e hanë shtetin, po e japin territorin e Kosovës, po e japin pasurinë publike e kombëtare të Kosovës, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të marrin edhe ndonjë ditë më shumë pushtet”, ka thënë Kurti.

Para fillimit të protestës, policia e kishte hequr binën e vendosur nga aktivistët e Lëvizjes, ku ishte planifikuar të mbaheshin fjalimet.

Albin Kurti ka adresuar kritika të ashpra ndaj drejtorit të Policisë, Reshat Maliqi, për këtë veprim.

Shpend Ahmeti ka folur për gjendjen e rëndë  ekonomike, varfërinë dhe papunësinë, ndërsa në anën tjetër ka përmendur luksin e madh të pushtetarëve.

Protestën e kanë përshëndetur edhe përfaqësues të Sindikatës së punëtorëve të fabrikës “Sharrcem”, e privatizuar, siç u tha, në mënyrë ilegale nga “Titani” grek.