Lajme Shqip e Premte, 23 Dhjetor 2011 19:10

Prishtinë-Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se vendimi që Serbia të mos marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian është lajm i mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për Shqipërinë.

“U bë shumë mirë që Serbia nuk e mori statusin e vendit kandidat. Është e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, nëse Serbia avancon në integrime evropiane para nesh, sepse ajo ëndërron që t’ua bëjë shqiptarëve atë që Greqia ia bënë Maqedonisë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, nuk ka vend për entuziazëm të madh ,meqenëse Serbisë vetëm i është shtyrë për tre muaj statusi i vendit kandidat”-shprehet Kurti në këtë intervistë.

Sipas tij, nëse shqiptarët si institucione, si shoqëri si komb, kudo që janë, punojnë shumë, atëherë ne do të mund t’ia shtyjmë sërish Serbisë statusin e vendit kandidat, sepse besoj që angazhimi jonë është i rëndësishëm.

“Mos harroni se shqiptarët janë e vërteta e Serbisë, e tillë çfarë e kemi njohur gjithmonë, pra një teokraci militariste, e cila e prodhoi Milloshevicin e sot prodhon Milloshevic të tjerë më të sofistikuar”-vijon Kurti.

I pyetur se si mund të pengojnë shqiptarët afrimin e Serbisë më BE-në ai thotë se qeveria e Kosovës, ajo e Shqipërisë, subjektet politike shqiptare anekënd kufijve intelektualët, artistët, ambasadorët shqiptarë, duhet që t’i shpeshtojnë kontaktet me faktorët ndërkombëtarë drejt sqarimit të tyre për Serbinë e cila vazhdon të mbetet nacional shoviniste dhe antishqiptare karshi gjithë kombit tonë dhe me siguri që ajo do të jap rezultatet e veta.

“Nuk mjafton të thuhet se opinioni publik ndërkombëtarë dhe diplomatët e politikanët ndërkombëtarë e dinë për krimet e Serbisë në Kosovë. Krime po ndodhin vazhdimisht gjithandej nëpër botë, politika shumë e shpejtë, prandaj është e domosdoshme që ne ta përsërisim të vërtetën në mënyrë që të mos lejojmë që ajo të harrohet në kujtesën ndërkombëtare”.-vijon Kurti.

Sipas tij viti 2011 do të mbahet mend si vit i rezistencës së Kuvendit të Republikës së Kosovës ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, si vit i përpjekjeve për të mos lejuar që Republika parlamentare e Kosovës, të degradojë në republikë qeveritare të kryeministrit.

“Mendoj që demokracia në Kosovë është shfaqur në brishtësinë e saj, mirëpo në anën tjetër Kuvendi i Republikës së Kosovës, është bërë më demokratik dhe më politik se asnjëherë më parë. Pra Kuvendi nuk është më një vend ku legjitimohet qeveria, por ku përballet ajo”-shprehet Kurti në këtë intervistë.

Ai paralajmëron ndërkohë se nëse qeveria dhe Kuvendi nuk zbaton mocionin e reciprocitetit deri në janar të vitit të ardhshëm, atëherë Vetëvendosje do të aplikojë vetë zbatimin e këtij vendimi.

“Lëvizja Vetëvendosje nga 14 janari do të punojë në zbatim të këtij vendimi nëpërmjet bllokimit të pikave kufitare me Serbinë, tek Dheu i bardhë dhe në Merdarë, prej nga me mijëra kamionë na hyjnë për çdo muaj dhe bëjnë që ne të kemi një deficit të tmerrshëm tregtar me Serbinë që nuk na e njeh pavarësinë, nuk na ka kërkuar falje, nuk na i kthen trupat e të pagjeturve, nuk na i dorëzon kriminelët serbë të luftës, vazhdon shtypjen dhe diskriminimin në Luginë të Preshevës dhe në kushtetutën e së cilës shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë”.-tha Kurti.