Lajme Shqip e Diel, 15 Korrik 2012 15:19

 

Prishtinë -Në Mbledhjen e Pestë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi se “bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i nevojshëm, i domosdoshëm por  edhe i pashmangshëm”.

Ai vuri në dukje se “është i nevojshëm sepse është çështje interesi, i domosdoshëm sepse është çështje vullneti dhe i pashmangshëm sepse edhe nëse ne heqim dorë nga bashkimi kombëtar, ne kemi fqinjë që nuk do të ndalen me aspiratat e tyre hegjemoniste deri në bashkimin e shqiptarëve”.

Më tej, Kurti vuri në dukje se “Kosova dhe shqiptarët janë për anëtarësim e integrim në BE, për të qenë të barabartë e të lirë bashkë me kombet tjera, për të pasur drejtësi, por jo kështu të ftohemi kryesisht për bisedime me Serbinë e koncesione ndaj saj”.

Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të subjektit politik që ai e drejton, Kurti ka thënë se është e pavërtetë mënyra se si është thënë se ka vdekur ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Privatizim, Dino Asanaj.

“Kurrë më parë nuk kemi pasur gënjeshtra të pabesueshme sikurse kohëve të fundit. Prej të ashtuquajturës vetëvrasje të Dino Asanajt e deri te mbrojtja e prodhimit vendor grek. Është bërë shumë e vështirë ta demaskosh regjimin në Kosovë. Jo pse ka maskë të trashë, por pse i ka rënë ajo. Fytyra e këtij regjimi është ajo që e ka thënë gjithmonë Lëvizja jonë: një pushtet i uzurpuar që uzurpon, një politikë e pazareve ditore që e shet vendin edhe natën. Pushteti në demokraci duhet t’ia vë shtetin në shërbim qytetarëve, e jo sikurse tash, jo sikurse këtu, t’ua kundërvë shtetin atyre”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, regjimi në Kosovë po egërsohet. Të palarat e tyre po duken, sepse po dalin, sheshit. “Kurrë më parë nuk kemi pasur gënjeshtra të pabesueshme sikurse kohëve të fundit. Prej të ashtuquajturës vetëvrasje të Dino Asanajt e deri te mbrojtja e prodhimit vendor grek (sic.). Është bërë shumë e vështirë ta demaskosh regjimin në Kosovë. Jo pse ka maskë të trashë, por pse i ka rënë ajo. Fytyra e këtij regjimi është ajo që e ka thënë gjithmonë Lëvizja jonë: një pushtet i uzurpuar që uzurpon, një politikë e pazareve ditore që e shet vendin edhe natën”.

Pushteti sipas tij në demokraci duhet t’ia vë shtetin në shërbim qytetarëve, e jo sikurse tash, jo sikurse këtu, t’ua kundërvë shtetin atyre. Sipas tij qeveritarët janë “struktura kriminale që i ka formuar krimi strukturor i pazareve me Serbinë dhe i privatizimeve të egra. Janë me dhjetëra qeveritarë dhe miq të tyre biznesmenë që vetë i kanë paratë për ta blerë Distribucionin e KEK-ut nëse ai na u dashka shitur për 26 milionë euro!”

Gjithashtu ai, u ndal edhe në programin politik të Lëvizjes Vetëvendosje, duke shtuar se do të thellohet me programin qeverisës të bazuar në dy shtylla: Shteti Zhvillimor për Mirëqenie dhe Shteti i së Drejtës për Bashkim. (LajmeShqip.com)