Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 19:04

Prishtinë-Ne nuk jemi kundër, por plotësisht në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian, thotë Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Ne konsiderojmë se reciprociteti është parim dhe vlerë e Bashkimit Evropian. Të gjitha shtetet anëtare në Bashkimin Evropian janë shtete, të cilat i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre nëpërmjet reciprocitetit, nëpërmjet njohjes së ndërsjellë, nëpërmjet marrëveshjeve të shumta bilaterale që i bëjnë. Dhe, kësisoj, pra, ne jemi plotësisht në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian”-thotë Kurti.

Ai thekson se protesta e 14 janarit ishte protestë paqësore prej fillimit deri në fund. “Ajo çfarë ishte e dhunshme më 14 janar, ishte ndërhyrja dhe sulmi i Policisë së Kosovës, sipas urdhrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”-vijon ai.

Lidhur me akuzat e qeverisë dhe vetë kryeministrit Thaçi se dhuna u inicua nga aktivistët e Vetëvendosjes, Kurti thotë se policia kishte organizuar një bllokadë të trefishtë atë ditë. Në çdo cep të Kosovës, policia kishte vendosur postblloqe të cilat kontrolluan dhe bastisën autobusët dhe automjetet e protestuesve paqësorë, ku nuk e kanë gjetur as edhe një brisk dore dhe asnjë mjet të fortë.

“Paraprakisht, e dimë që Qeveria nuk e hiqte nga goja fjalën dhunë. Ajo kishte strategji policore për dhunë. Bëhet fjalë, pra, për një politikë policore të Qeverisë, e cila, për pasojë, edhe policinë po e bën politike. Mendoj se të gjitha akuzat, ofendimet, shpifjet, u dëshmuan si të pabaza. Posa na sulmoi Policia e Kosovës, më 14 janar, ne u ulëm në asfalt, në rrugë dhe ata vazhduan me sulmin e tyre. Mendoj se i gjithë opinioni publik, jo vetëm i Kosovës, e ka parë se kush kishte plan për dhunë dhe kush ushtroi dhunë më 14 janar”-thotë Kurti.

Sipas kreut të Vetëvendosjes, nuk është kufiri i rrezikuar nga këto protesta. Por është parlamenti ai që po rrezikohet nga qeveria.

“Institucioni që është rrezikuar dhe, madje, është cenuar në Republikën e Kosovës, është organi më i lartë përfaqësues, legjislativ dhe politik i Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili me datën 7 dhjetor (vitin e kaluar) e mori vendimin për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë – një vendim ky që nga Qeveria e Kosovës u shpërfill”.

Ndaj sipas tij është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ta kuptojë që Republika e Kosovës është republikë parlamentare dhe nuk do të lejohet që ajo të degradojë në republikë qeveritare.

“Pasi përndryshe, shteti i pavarur i Kosovës do të përfundojë me një qeveri diktatoriale, pa republikë”-tha Kurti.

Ai shton se qeveria duhet të mësohet që protesta paqësore e qytetarëve të Kosovës është e drejtë universale, është e ligjshme dhe është vlerë demokratike.

Lidhur me deklaratat e Kuinti-it që Vetëvendosje do të mbart pasojat e këtyre protestave, Kurti thotë se ambasadorët e pesëshes diplomatike u ndikuan nga qëndrimi I qeverisë por më pas e panë që deklarata e tyre nuk i ishte referuar realitetit, por perceptimit, të cilin dëshironte ta krijonte Qeveria e Kosovës.

“Paraprakisht, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e hiqte nga goja fjalën dhunë dhe mendoj që ata kanë ndikuar që deklarata e Kuintit të jetë e tillë. Pra, Kuinti po e ndiqte perceptimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës. Por, pas 14 janarit, u dëshmua që, në fakt, ata të cilët flisnin për dhunë, kishin edhe një plan të dhunshëm. Pra, ishte Qeveria e Republikës së Kosovës ajo, e cila urdhrat politikë i kishte mbi Policinë e Kosovës dhe kësisoj, në kundërshtim me ligjin në Kosovë. Pra, urdhrat politikë mbi Policinë e Kosovës ishin vendosur sipër ligjit në Kosovë, prandaj edhe nuk kishte në fakt kurrfarë zbatimi të ligjit më 14 janar”-thotë Kurti.

Albin Kurti thotë se janë ezauruar të gjitha format e përdorura për zbatimin e mocionit të Kuvendit të Kosovës.

“Janë bërë 41 ditë prej se është miratuar vendimi në Kuvendin e Kosovës për reciprocitet të plotë me Serbinë dhe janë bërë 41 ditë, prej se shkelet për çdo ditë ky vendim. Ne këtë e kemi thënë për çdo ditë në diskutime, debate, në parlament, jashtë tij, në media, në tubime me qytetarë. Madje, i patëm dhënë afat Qeverisë që deri më 1 janar t’i bëjë përgatitjet e duhura për ta zbatuar këtë reciprocitet. Mirëpo, duhet ta keni parasysh se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk thoshte “nuk mund ta zbatojë reciprocitetin”. Por, na shpërfillte duke thënë që ai është vetëm një opinion”.

Pra, ata kanë treguar që nuk kanë interes, as ndërgjegje dhe as vullnet për ta zbatuar një vendim të tillë. Pra, ka rebelim të Qeverisë së Kosovës ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës. Duke u sjellë në këtë mënyrë rebele, Qeveria e Republikës së Kosovës po e degradon republikën tonë parlamentare.

Sipas tij në këtë mënyrë qeveria po sillet në mënyrë arbitrare dhe po prodhon anarki.

“Ne jemi kundër kësaj. Ne jemi për rregull, ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe jemi që republika jonë parlamentare, ashtu siç e ka emrin dhe përmbajtjen, të jetë edhe në realitetin e përditshme të jetës politike, institucionale, shoqërore dhe ekonomike në Kosovë”-vijon Kurti.

Ai thekson se nëse qeveria do të nisë zbatimin e reciprocitetit të plotë, ashtu siç e thotë vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë edhe protesta e 22 janarit nuk do të mbahet.

“Përndryshe, neve nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të vazhdojmë me protestat tona paqësore dhe, natyrisht, edhe me mjetet institucionale në sistemin shtetëror të Kosovës, në mënyrë që t’ia kthejmë dinjitetin Kuvendit të Kosovës, ta mbrojmë shtetin prej pushtetit”përfundon Kurti.