Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 19:15

Berlin-Duam dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme sa më shpejt të jetë e mundur. Është kjo deklarata e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, bërë gjatë një interviste për DW ndërsa ndodhet për vizitë në Gjermani.

“Që të ecim përpara duhet të ndërrohet kjo qeveri dhe ne duam që kjo të bëhet në zgjedhje të parakohshme”-shprehet Kurti. Ai nuk përjashton vazhdimin e protestave në pikat kufitare me Serbinë ndërsa deklaron se VV do të vazhdojë betëjen e saj edhe në rrugë ligjore.

“Qeveria e tanishme e ka uzurpuar shtetin dhe e ka shndërruar vendin në një republikë qeveritare – me shumë qeveri dhe pak republikë. Aktivitetet tona në kufi nuk i bëjmë me qëllim që të rrëzojmë qeverinë, t’ia marrin pushtetin, apo të forcojmë veten si opozitë. Por këto aksione janë kundër Serbisë, kundër hyrjeve dhe ndërhyrjeve të saj në Kosovë. Është fatkeqësi e madhe që qeveria në vend se të bllokojë Serbinë destruktive, po i bllokon aksionet  tona. Për të shkuar përpara, duhet të ndërrohet kjo qeveri. Ne duam që kjo të bëhet në zgjedhje të parakohshme. Pra, duam dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme – sa më shpejt aq më mire”-thotë kreu i Vetëvendosjes. Kurti thekson se nuk është kundër serbëve të Serbisë apo të Kosovës dhe se kjo lëvizje ka një plan se si të bashkohet Mitrovica dhe për ndërprerjen e strukturave paralele në veri.

“Lëvizja Vetëvendosje ka një plan se si mund të bashkohet Mitrovica. Plani parashikon masa socio-ekonomike si dhe masa politike dhe të sigurisë. Ndër masat që duhen ndërmarrë janë rivitalizimi i Trepçës, zbutja e papunësisë, ndihmat për arsim, shëndetësi etj. Ndërsa sa i përket masave të sigurisë, duhet ndëprerë financimi i strukturave paralele të Serbisë, të ndërpritet shitja e pronave të shqiptarëve, duhet të hapen nën stacione policore në lagjet e banuara me shqiptarë. Mos të harrojmë, strukturat paralele në veri i ka lënë Millosheviqi, më vonë i ka mirëmbajtur Koshtunica e tani këtë po e bën edhe Tadiç”-vazhdon Kurti.

Lidhur me dialogun mes Prishtinws dhe Beogradit, ai pwrswrit edhe njw herw se pse Vetwvendosje wshtw kundwr ketyre bisedimeve.

“Dialogu me Serbinë për çështje të brendëshme të Kosovës na bosnjizon neve dhe rezulton me kantonizimin e Kosovës, rezulton me një shtet jo funksional. Nuk mund të përfitojmë nga ky dialog për çështjet e brendshme, do të kemi vetëm dëme. Situata është sikur para 40 vitesh, kur shqiptarëve u lejohej përdorimi i flamurit kombëtar, por vetëm brenda shtëpisë dhe jo në publik. Me trysni ndaj Serbisë mund të arrihet kjo. Serbia mund të  hidhet në defansivë me dy poteza: e para, duhet t’i ndërpresim bisedimet, dhe e dyta, ta bllokojmë hyrjen dhe ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë”.-vijon Kurti.

I pyetur për qëndrimin e Vetëvendosjes ndaj ndërkombëtareve në Kosovë, Kurti thotë se nuk janë kundër pranisë së tyre, por për të ndryshuar karakterin e kësaj pranie.

“Nuk duam një prani ndërkombëtare e cila na sundon dhe dikton, por një prani që na mbështet dhe ndihmon për zhvillim, demokraci dhe drejtësi. NATO duhet të qëndrojë në Kosovë, por duhet të bëhet me një marrëveshje të re. Marrëveshja duhet të nënshkruhet mes NATO dhe Kosovës dhe jo të qëndrojë mbi bazat e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila është nënshkruar prej shumë personave që janë dënuar në Hagë  për krime lufte. Natyrisht që ne kërkojmë që edhe forcat e sigurisë së Kosovës të shndërrohen në ushtri, sepse nuk është në rregull që Mali i Zi apo Maqedonia të kenë ushtri, e Kosova nuk lejohet ta ketë ushtrinë e vet”-thotw Kurti.

Sipas tij, Serbia duhet të lërë pas të kaluarën, të ndryshojë në mënyrë që të ketë marrëveshje, komunikim dhe bashkëpunim normal me Kosovën.

“Serbia duhet ta lerë prapa periudhën e regjimeve fashiste dhe nacionalshoviniste të Shekullit 20-të. Serbia duhet të heqë dorë nga e kaluara, të paguajë dëmet e luftës, të na i kthejë 1800 të pagjeturit, ta ndryshojë pjesën e kushtetutës së saj, ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë, të pushojë me shtypjen dhe diskriminimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Serbia duhet të na i kthejë depozitat e  plaçkitura bankare, fondet pensionale, dokumentacionin kadastral, librat e amzës, të na i dorëzojë kriminelët e luftës dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës. Vetëm për një Serbi të tillë mund të thuhet se nuk është më ajo Serbia e vjetër dhe me të mund të krijojmë marrëdhënie të reja”-thotë Kurti.