Lajme Shqip Sunday, 09 September 2012 17:07

Prishtinë – Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti i ka dërguar një letër ish-të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, duke e kritikuar atë për propozimin e zgjidhjes së statusit.

Një ditë para se Kosova të përmbyllë zyrtarisht mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj, Kurti e quan të padrejtë “logjikën” mbi të cilën diplomati finlandez kishte hartuar propozimin për zgjidhjen e statusit.

“Ideja juaj do të ketë qenë që t’i drejtpeshoni sa më shumë interesat, ama kjo rrjedh nga një keqperceptim i thelbit të çështjes së Kosovës – nga konceptimi i Kosovës si problem shqiptaro-serb. Prandaj edhe zgjidhja e ofruar nga ju ka qenë po kështu – zgjidhje shqiptaro-serbe: komuna të reja serbe, eksterritorialiteti i 45 kishave, të cilat i definuat si ‘serbe’, pastaj shumica e dyfishtë, që nënkupton pamundësinë e ndryshimeve kushtetuese pa u pajtuar serbët, etj…”, shkruan Kurti në letrën drejtuar Ahtisaarit.

Lideri i VV-së thekson se nëpërmjet zgjidhjes së propozuar nga Ahtisaari, “ Serbisë i janë ofruar mundësi të mëdha për ta kontrolluar stabilitetin politik të Kosovës”, ndërsa shpreh bindjen se “shumica e serbëve në Kosovë ende mbesin peng i politikave destruktive dhe hegjemoniste të Serbisë”.

Letra flet dhe për mungesën e përmbushjes së planit në pjesën veriore të Kosovës.

“…Plani juaj është zbatuar vetëm pjesërisht – vetëm aty ku ka pranuar Beogradi: nëpër enklava po, kurse në veri jo. Kurse tash Kosova ndodhet përpara negociatave të reja për veriun, në të cilat Pakoja juaj do të hapet. Zgjidhje tjera mund të pasojnë e që shkojnë edhe më larg sesa propozimi juaj. Dhe, në fund, mund të përballemi me kohën kur për një pjesë të Kosovës të vlejë propozimi Juaj, kurse për veriun një zgjidhje tjetër”, thuhet në letrën e Kurtit.

Lideri i VV-së vlerëson se plani, që para pesë vjetësh mund të ishte shikuar si zgjidhje, sot paraqet një pengesë, “pengesë për sovranitet dhe kufizim për pavarësi të plotë. Plani Juaj e mban peng Kosovën nga strukturat e Serbisë”, shkruan Kurti. (LajmeShqip.com)