Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 11:03

Lajmi se sot pritet arrestimi i Kurtit dhe Haxhiut, i cili po qarkullon nëpër media, demantohet nga burime brenda Policisë së Kosovës.

Duke mos dashur që të deklarohen hapur për këtë çështje, lajmi.net mëson se procedurat janë në vazhdim e sipër ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë dhe Kurti e Haxhiu nuk do të arrestohen as sot dhe as nuk ka ndonjë afat apo urdherarrest për arrestimin e tyre.

Madje, sipas këtyre burimeve, ky lajm ka për qëllim që ta tensionojë edhe më shumë situatën politike.

“Nuk është e vërtetë që policia ka urdhërarrest për Kurtin e Haxhiun. Lajmet e tilla vetëm tensionojnë edhe më shumë situatën politike”, ka thënë shkurt ky burim brenda Policisë së Kosovës për lajmi.net.

Ndryshe, Prokuroria është duke zhvilluar hetime edhe ndaj deputetëve Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi. Edhe këta dy, në seancën e fundit të Kuvendit, kanë hedhur gaz lotsjellës, mjet i ndaluar për përdorim nga civilët, sipas ligjeve në fuqi në vend.