Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 14:30

Prishtinë-Në një konferencë për media, Kurti tha se vetë do të jetë i pranishëm në pikën kufitare në Merdarë ndërkaq nuk pret ndonjë incident pasi rreth 200 aktivistë do të kujdesen për mbajtjen e karakterit paqësor të protestës.

Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se në protestën e nesërme nuk do të ketë bllokim rrugësh as provokim të dhunës por vetëm do të ndalohen mallrat serbe që hyjnë në Kosovë.

Kreu i kësaj Lëvizjeje Albin Kurti tha se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet dhe ai vetë do të jetë i pranishëm në pikën kufitare në Merdarë.

Kurti tha se aktivistët e Vetëvendosjes do të kujdesën që të mos ketë incidente dhe protesta ka vetëm për qëllim zbatimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë gjë të cilën nuk po e bënë qeveria e Kosovës.

Ndërkaq deputeti nga rradhët e këtij subjekti, Rexhep Selimi tha se deklaratat e zyrtarëve qeveritarë lidhur me këtë protestë kanë pasur për qëllim të fusin frikë të qytetarët.

Udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje thanë se kanë bërë përgatitjet që protesta të zgjasë derisa qeveria të nisë zbatimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet tregtar ekonomik dhe politik me Serbinë. (LajmeShqip.com)